Na ndiqni edhe në

Opinione

Më në fund në Kosovën e çliruar

Më në fund në Kosovën e çliruar


Nga Rexhep Qosja

Në Kosovë kthehem me një përvojë më shumë: me përvojën e të zhvendosurit prej shtëpisë dhe prej tokës së vet – me përvojën, sigurisht, më shpresëzhbërëse që mund të provojë krijesa njerëzore.

Të paktë janë brezat që e provojnë këtë përvojë tragjike megjithëse historia është, njëkohësisht, kronikë e tragjedive njerëzore.

Këtu, në Tiranë, me dhjetëra herë, me qindra herë e kam kaluar nëpër mend jetën time. E shoh se nuk e kam pasur të lehtë. Më ka takuar të përjetoj: Luftën e Dytë Botërore; turrin e tmerrshëm të kolektivizimit; dhunën e shumëllojshme të UDB-ës, kur më të egër e kur më të zbutur, por të vazhdueshme; demonstratat e rinisë studentore dhe shkollore në vitin 1981 dhe dhunën shtetërore serbo - jugosllave që do t’i pasojë; procesin e përdallimit (diferencimit) ideopolitik pas atyre demonstratave, në të cilin kërkohej dënimi i tyre; ekspeditat ndëshkimore ushtarako-policore serbo – jugosllave, që do ta bëjnë shumë të pasigurt jetën tonë dhe do ta nxisin shumë emigrimin; luftën vetëmbrojtëse, që do të bëhet luftë çlirimtare në krye me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës; dhe, në fund, dëbimet dhe shpërnguljet e afër 1 milion vetave për një vit.

Shumë, tepër shumë për një jetë njeriu!

Në Kosovë kthehem me një përvojë tragjike më shumë – me përvojën e të shpërngulurit me dhunë, por në Kosovë kthehem edhe shpirtërisht shumë më i pasur. Kam pasur shumë takime, shumë bashkëbisedime, shumë biseda me intelektualë, me politikanë, me diplomatë, me qytetarë. Nuk jam njeri që i do udhëtimet, por jam i vetëdijshëm se një pjesë shumë të kuptimshme, shumë të rëndësishme, shumë të vlershme të jetës së njeriut e përbëjnë pikërisht takimet, bashkëbisedimet, bisedat me njerëzit e tjerë, të njohur e të panjohur, me njerëzit me të cilët pajtohesh dhe me njerëzit me të cilët nuk pajtohesh – takimet, bashkëbisedimet e bisedat që sjellin udhëtimet. Vetëm në takime me njerëzit e tjerë, të gjuhës e të kulturës tënde dhe të gjuhëve e të kulturave të tjera, njeriu dëgjon mendime të ndryshme, mëson, ngrihet, pasurohet shpirtërisht. Takimet, bashkëbisedimet dhe bisedat me të tjerët janë privilegj i njeriut, i pazëvendësueshëm në jetën e tij dhe për jetën e tij: në to krijohen idetë dhe mendimet fuqidhënëse, që e rrisin përvojën e tij, që e pasurojnë jetën e tij, që, më në fund, e çojnë përpara jetën e njerëzve në përgjithësi.

Është e nevojshme, prandaj, që këto takime, bashkëbisedime dhe biseda të njeriut me njeriun të bëhen të paharruara: të shënohen. Por, aq më parë, është e nevojshme që të bëhen të paharruara, të shënohen dhembjet e vuajtjet e mëdha, të përbashkëta, të njerëzve, siç ishin këto që përjetoi populli shqiptar sivjet.

Dikur e diku, dikush, para meje e ka thënë se, duke i shënuar ne edhe prej të këqijave më të mëdha nxjerrim diçka të dobishme.

Të shënuara, të përshkruara, të shpjeguara, dhembjet, vuajtjet, dëshpërimet, pikëllimet e mëdha: e para, kthehen në njohje të jetës, domethënë në njohuri për jetën dhe, e dyta, bëhen nxitje për veprime mirësie dhe njerëzillëku, domethënë frymëzim për luftë morale kundër të këqijave që e çkuptimësojne jetën e njerëzve.

Të gjitha këto janë arsyet pse unë jam përpjekur t’i shënoj në Ditar, domethënë prej dite në ditë, bëmat dhe të bërat e popullit shqiptar në Kosovë sivjet, dhembjet, vuajtjet, pikëllimet dhe dëshpërimet që i kanë sjellë atij vrasjet, masakrat, rrënimet, shpërnguljet e dhunshme; mendimet e ndryshme politike shqiptare dhe botërore për Kosovën dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi; ndërhyrjen e SHBA-ve dhe të Bashkimit Evropia në luftën në Kosovë. Domethënë: të gjitha këto janë arsyet pse unë jam përpjekur që çdo ditë, prej ditës së fillimit të fushatës së bombardimeve e deri në ditën e kthimit në Kosovë, t’i shënoj të gjitha ato që përbëjnë përjetimet tona në një situatë të jashtëzakonshme historike, në thelbin e së cilës ishte e përmbajtur një Vuajtje e madhe.

Ditari im është kallëzim historik për këtë Vuajtje.

Lexuesit e ditarëve, zakonisht, kanë dy arsye leximi: arsyet e leximit të historisë dhe arsyet e leximit të prozës letrare. Mund të thuhet kështu sepse ditarët sjellin të dhënat jetësore, shoqërore, politike, kulturore e të tjera – si edhe shkrimet historike dhe qëndrimin ndjenjor të autorit ndaj tyre – si edhe romanet.

Mbrëmë, me Ismijen dhe me Qaniun, jemi marrë vesh që për Prishtinë të nisemi në orën 8, por nisemi në orën 9. Nuk jam unë fajtor për vonesën; unë, zakonisht, jam fajtor për nxitime e jo për vonesa!

Udhëtojmë me xhip të OESB-së, që na e ka siguruar ambasadori Dan Everts.

Xhipi më lehtë se vetura i kalon gropat, bllacat, kodrat në rrugën deri në Qafëthanë.

Policët dhe doganierët maqedonas në Qafëthanë kësaj here sillen më mirë se herë të tjera: nuk m’i hallakasin as librat! Nuk kanë arsye të brengosen se mund të ndalemi në Maqedoni: e kanë të qartë se mezi presim të mbërrijmë në Kosovë.

- Si të mbërrijmë në Prishtinë do t’ju thërrasim dhe do t’ju tregojmë a kanë filluar të dalin fëmijë në oborrin e shkollës Hasan Prishtina. Sot është e premte, nesër e shtunë, mandej e diel, më së miri është të vini të hënën, apo jo?

Buzëqeshjet e tyre tepër të përmbajtura tregojnë se nuk iu ka kaluar plotësisht hidhërimi.

Ato buzëqeshje ashtu të përmbajtura do të më rrinë gjatë parasysh në rrugën për Kosovë. Ato janë buzëqeshjet që po lindin, buzëqeshje ende të ndrojtura të fëmijëve të Kosovës pas gjithë atyre që kanë dëgjuar, që kanë parë, që kanë përjetuar në këtë pranverë – në pranverën pa lule të vitit 1999.

Në Qafëthanë na pret edhe Piteri me një xhip tjetër të OESB-së dhe me vozitësin e tij.

Ai që na solli deri këtu kthehet për Tiranë.

Në Gostivar hamë mëngjes dhe drekë njëkohësisht. Aty ndahemi me Ismijen: do të ndalet disa ditë te prindërit e, mandej, bashkë me ambasadorin Dan Everts do të vijë në Prishtinë – në detyrë të re.

Në rrugën që ka kaluar shumë herë njeriu sikur nuk e vështron me farë vëmendjeje natyrën. Por, si ta kalosh Gostivarin nuk mund të mos vëresh Kampin e Çegranit. Duket si një copë shkretëtire, e shkelur prej mija e mija këmbësh, e djegur prej vapës, me çadra të rralluara, në të cilat kanë mbetur ata që nuk kanë me çka të kthehen vetë në Kosovë, prandaj presin kthimin e organizuar dhe ata që nuk kanë ku të shkojnë në Kosovë se u janë djegur a shkatërruar shtëpitë.

Copë më e madhe shkretëtire është Kampi i Stankovecit mes Shkupit dhe Bllacës. Toka është edhe më e djegur, kurse çadrat edhe më të rralla se në kampin e Çegranit. Duke qenë më afër kufirit me Kosovën, banorët e tij më lehtë kanë vendosur të nisen për Kosovë.

Shpresa shikon e heshtur!

Pa fjalë ka mbetur edhe Qaniu.

Piteri, i ulur në vendin e parë, afër vozitësit, çon duart përpjetë: ja çka krejt mund t’u bëjnë jonjerëzit njerëzve!

Mendimet tona, shpejt, teksa i afrohemi kufirit, ndalen në rreshtin e gjatë, pesë-gjashtë kilometra të gjatë – na thonë – të tankeve, të autoblindave, të kamionëve ushtarakë të ngarkuar me çka ne nuk e dimë, të automjeteve të gjithfarëllojshme me oficerë e ushtarë, të Land Roverëve, të cisternave, të autobusëve, të veturave, të furgonëve, të kamionëve me ndihma humanitare, të këmbësorëve - burra, gra, fëmijë.

Xhipi i ynë përbirohet shumë shkathët mes autoblindave, automjeteve, ushtarëve, oficerëve e civilëve – kosovarë dhe të huaj. Piteri sa zbret sa hip në xhip. Piteri çel rrugë, sepse Piteri është amerikan e amerikanët i kanë të çelura të gjitha rrugët në këtë planet. Megjithatë, një amerikan tjetër, flokëkuq, me hundë artistike si të Marlon Brandos e mjekër të zgavërt si të Kirk Dagllasit na ndal, seriozisht, duke na e treguar me dorën e djathtë rreshtin e pafund të automjeteve e të udhëtarëve thuajse do të na thotë:
- Po ku jeni nisur ashtu vrap, a s’po shihni se s’mund të kaloni!

Piteri zbret me të shpejtë prej xhipit, bën një bisedë me të, që na duket shumë më e gjatë se ç’ishte dhe, në fund, ia mbush mendjen që të na lejojë të vazhdojmë teksa të kalojë rreshti i kamionëve ushtarakë që prej Kosovës po ecte në drejtim të Shkupit.

Në Doganë – gjendje plotësisht e ndryshuar. E zbukurojnë, në të gjitha pikëpamjet e zbukurojnë, uniformat e NATO-s.

E besoj se fytyrat tona e rrezatojnë një përjetim të papërjetuar kurrë më parë në këtë pikë kufitare.
Nuk ka më ushtarë serbë!
Nuk ka më policë serbë!
Nuk ka më doganierë serbë!
Nuk ka më udbashë serbë!
Nuk ka më as trysni, as britmë, as fyerje, por as frikë, as servilosje, as lutje.
Nuk na i kërkojnë pasaportat, që nuk i kemi.
Nuk ia kërkojnë askujt.

Për herë të parë në Kosovë mund të hysh i lirë dhe lirisht: Kosova është e çliruar.

Nëpër këtë pikë kufitare për herë të parë mund të kalohet me dinjitet të pacenuar.

Historia e Kosovës, vërtet, ka ndryshuar.

Në anën e majtë të rrugës kryesore, atje poshtë, është rrafshi i paharruar i Bllacës, ku shkularakët kanë pritur ditë të tëra që t’u lejohet të hyjnë në Maqedoni. Para tre muajsh - skëterrë e njerëzve, tani është kthyer në varr të veturave të ndryshkura, që kanë lënë të dëbuarit.

Të shumtat i kanë rrjepur serbët – dje apo janë duke i rrjepur shqiptarët – sot!

Këtu, gjithmonë, prej dikujt ke qenë i rrjepur!

Në Han të Elezit Shpresa na e tregon shtëpinë në të cilën - thotë - kemi gjetur miell dhe kemi gatuar bukë.

- A mund të ndalemi e të shikojmë a është kush aty? – pyet

- Po e lëshuam rreshtin vështirë hyjmë, mandej, në rresht - i them.

- Do të vijmë një ditë që t’i vizitojmë – ngushëllohet.

E vazhdojmë rrugën me hapa breshke.

Në Kaçanik fillon Kosova e luftës: shtëpi të rrënuara, shtëpi të djegura, shtëpi të mbetura shkretë!

Restoranti i njohur Evropa – murishtë!

Restoranti Fontana – rëndë i plagosur!

Pompa të benzinës – rrafsh me tokën!

Në të dy anët e rrugës ara të papunuara, të kthyera në livadhe e livadhet të pakositura! Ndonjë luledielli e vetmuar është përkulur në drejtimin e Diellit, që perëndon.

Askund njeri, dhe, askund frymor!

Masakruesit e njerëzve nuk i kanë kursyer as frymorët!

Në Prishtinë mbërrijmë në ora 19 e 10 minuta – më herët se ç’kemi menduar.

Jam rishtazi aty ku për herë të parë kam shkelur në qershor të vitit 1954, në qytetin ku jam rritur dhe ku jam ngritur. Çdo rrugë e rrugicë, çdo shesh e ndërtesë ma kujton rininë! Në mendje kam Prishtinën që nuk është më dhe Prishtinën që do të bëhet!

Prishtina na pret me heshtje, me heshtje, me heshtje, me rrugë pa njerëz, me vetëshërbime të zbrazëta, me shitore e kinkaleri të mbyllura, me qoshqe të pa gazeta e të pa revista, me shkolla pa nxënës e mësues, me fakultete pa studentë e profesorë, me banesa, kryesisht, pa banorë, me oborre pa fëmijë.

Kohë pas kohe në këmbë a në Land Rover kalojnë ushtarë anglezë me automatikë në duar.

Ndalemi në adresën që aq dhembjen ma ka shkaktuar sivjet: Ulpiana, D3, Hyrja II, Nr.16.

E ftojmë Piterin të jetë mysafiri ynë.

Jo, i duhet të shkojë sonte në Prizren.

E ftojmë, bile, të pushojë pak.

Do të niset menjëherë – që të mos vonohet shumë.

Lamtumiremi me të dhe me Qaniun, të cilin Piteri e çon deri te banesa e tij.

I shtiem plaçkat dhe librat në banesë.

Më duket se jam në një banesë në të cilën nuk kam qenë kurrë!

Para se ta pushtojë nata ditën shkojmë në Breg të Diellit: që të shohim çka është bërë atje.

Para shtëpisë janë mbeturinat e veturës – bombë, të zeza – futë. Askush s’i ka luajtur vendit.

Muret, në anën e rrugës, janë bërë shoshë prej copave të veturës.

Xhama në dritare nuk ka më.

Grilat janë thyer ose nxirë.

Dyert e ballkoneve janë nxjerrë prej vendit. Dyert e garazhit kanë rënë mbi veturë e vetura është në garazh – siç ka qenë. Vetëm benzinën e kanë pirë!

Në bibliotekë është thyer sirtari: janë marrë të gjitha që kanë qenë në të.

- Na i marrshin të ligat – thotë Shpresa.

Të gjithë dollapët, përfundi rafteve me libra, janë hallakatur: fashikujt, skedat, fletoret, shkresurinat e ndryshme, fotografitë, kasetat, filmat, diplomat, dorëshkrimet e ruajtura të librave të botuar – të gjitha janë hedhur mbi tepih. Nuk ke ku e vë këmbën prej tyre.

Nuk është prekur asnjë libër! Nuk është marrë makina e shkrimit – e vjetër! Nuk janë prekur as fotografia e Naim Frashërit në mur, as flamuri kuq e zi në tryezën e punës!

E çuditshme!

Të gjitha shishet me pije të ndryshme janë tharë!

Bustit tim, të punuar prej drurit të arrës, iu kanë thyer “syzet”!

Kthehemi në banesë, në adresën Ulpiana D3, Hyrja II, Nr.16.

Fqinjët na sjellin urime dhe ushqime!

Pas 7 netësh në Shkup, 2 në Strugë, 2 në Bon dhe 76 netësh në Tiranë kjo është nata e parë në Prishtinë.

Gjumi nuk më merr lehtë. Dhe, si të më marrë?

Në Kosovë është bërë luftë mes shtetit serb dhe popullit shqiptar. Serbët kanë dashur ta zgjidhin njëherë e përgjithmonë çështjen shqiptare! Por, në Kosovë është bërë luftë edhe më e madhe, më e përgjithshme se ç’mund të jetë lufta midis dy popujve: është bërë luftë – siç edhe është thënë me të drejtë - mes Lindjes dhe Perëndimit, mes komunizmit dhe kundërkomunizmit, mes socializmit dhe kapitalizmit, mes diktaturës dhe demokracisë, mes shovinizmit dhe humanizmit.

Edhe mbasi përfundon, lufta jehon gjatë, gjatë, gjatë në shpirtrat e njerëzve.

Në këtë luftë dikush ka luftuar e dikush ka shikuar; dikush është vrarë e dikush ka shpëtuar; dikush është fikur përgjithmonë e dikush ka përfituar!

As në paqe, as në luftë njerëzit nuk janë të barabartë. Barazinë, që është moralisht aq e drejtë, duket, e kundërshtojnë ligjësitë shoqërore, që mund të jenë aq të padrejta.

Ata që kanë mbetur gjallë, megjithatë, nuk do të duhej të ankohen.

Të gjallëve u bëhet çarja. Të vdekurit nuk kthehen më!

Megjithëse Kosova ende nuk është njohur e pavarur, ne jemi të lirë – për herë të parë pas shumë shekujsh.

Jeta do t’u kthehet burimeve të veta dhe ne do të mbledhim fuqi të reja.

Vështirësi do të ketë shumë – të parapara e më shumë të paparapara.

Ata që kanë qenë gjatë të sunduar prej të tjerëve nuk vetëqeverisen lehtë si duhet, së paku për një kohë.

Shkrimtari i madh francez, Andre Zhid, e thotë bukur: “Më e vështirë se të dish të çlirohesh është të dish të jesh i lirë”.

A do të dimë të sillemi në liri?

A do të dimë ta përdorim lirinë si duhet?

Pas kohëve heroike, zakonisht, vijnë kohët prozaike. Pas kohëve të burrërisë, zakonisht, vijnë kohët e burracakërisë. Pas kohëve të idealeve, zakonisht, vijnë kohët e parasë dhe të reshperisë. Pas kohës së idealistëve, zakonisht, vijnë kohët e përfituesve, matrapazëve, reshperëve, mashtruesve!

Ishim në sprovë të madhe historike.

E kaluam – me shumë mundime dhe me shumë dhembje, por e kaluam dinjitetshëm.

Ndërhyrja e NATO-s ishte dhurata e Zotit, e dhuruar, ndoshta, si shfajësim i fuqive të mëdha për të gjitha cenimet që na janë bërë me pajtimin e tyre gjatë historisë së re.

Tani do të jemi në provimin e pjekurisë historike.

Dhe, ky provim duhet të jepet.

Por, si do të jepet?

Rexhep Qosja, Tronditja e Shekullit (I,II), 2001/dritare.net