Na ndiqni edhe në

Opinione

Kryetarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

Kryetarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

Nga Rexhep Qosja

Kryetarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

Marrë nga romani i sapobotuar, "Të fshehtat e treguara"!*

Kryetarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Barak Obama

Prishtinë

Më 17 korrik 2017

I dashuri Kryetar,

UASHINGTON

Nuk po ju drejtohemi as me Lartmadhëri siç kanë qejf dhe, madje, kërkojnë prej nënshtetasve që t’u drejtohen kryetarët e institucioneve tona shtetërore!

Nuk po ju drejtohemi as me Shkëlqesi siç kanë qejf dhe, madje, kërkojnë prej nënshtetasve që t’ju drejtohen kryetarët dhe kryetaret e institucioneve tona shtetërore!

Po ju drejtohemi thjesht, siç ju janë drejtuar të parët tanë të lashtë, miqve të tyre më të afërm a më të largët në miqësinë e të cilëve kanë besuar si besimtarët në të Madhin Zot: I dashuri Mik! I dashuri Kryetar! I dashuri Vëlla!

Megjithëse ende në moshë të re, ndoshta pikërisht pse jemi në këtë moshë, ne besojmë se fjala i dashur, e dashur, është më e rëndësishme sesa ato të lartat, që ne, të rinjtë, i kemi braktisur: Lartmadhëri dhe Shkëlqesi!

Po ju drejtohemi me fjalën i dashur, I dashuri Kryetar, për dy arsye: e para, për të shprehur kështu nderimet dhe

ndjenjat tona dhe, lutemi të na besoni, të gjithë popullit shqiptar ndaj jush si njeri dhe si kryetar i SHBA-së; dhe, e dyta, për të shprehur besimin tonë se Ju, si dikur kryetari i madh amerikan, Vudro Uilson, e pas tij, kryetari Bill Klinton, do të vazhdoni të bëni çka kanë bërë ata për të mirën e shqiptarëve në përgjithësi e, në mënyrë të veçantë, për të mirën e shqiptarëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës.

Besojmë se jeni bërë me dije prej shërbimeve Tuaja diplomatike, informuese e të tjera se Demokracia në jetën tonë në Kosovë, madje në Kosovë e në Shqipëri, po kthehet në një mashtrim të madh, të papritur, por të adhuruar me dashje e pa dashje!

Në përmbajtjen e kësaj Demokracie, që shpresonim se do ta provojmë për herë të parë në historinë tonë me gjithë vlerat e saj jetësore-politike, ekonomike, diplomatike, arsimore, shëndetësore, artistike, shkencore, në përgjithësi, kulturore e qytetëruese, shumëçka s’është e vërtetë dhe vërtet demokratike!

Këtu, në ngrehinën e shtetit tonë, më të riun në Europë e njëherë për njëherë jo vetëm në Europë, krijimi i të cilit aq shumë i detyrohet shtetit Tuaj, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shumë fjalë, togfjalësha e nocione e kanë ndryshuar kuptimin!

Këtu gënjeshtra po shpallet e vërtetë! Këtu varfëria po shpallet pasuri! Këtu e keqja po shpallet e mirë! Këtu dhuna po shpallet liri!

Këtu e padrejta po shpallet drejtësi! Këtu vesi po shpallet virtyt!

Këtu vjedhja po shpallet dhuratë! Këtu mosdija po shpallet dije!

Këtu përkatësia fisnore e partiake po shpallen meritë për punësim dhe shpërblim!

Këtu shteti për të gjithë qytetarët është bërë shtet i kapur, privat, për sundimtarët dhe militantët e tyre.

Këtu shteti ligjor, shteti i së drejtës, nuk ka as themele e as kulm!

Vetëkuptohet se me ndryshimin e tillë të kuptimit këto fjalë, këta togfjalësha e këto nocione u shërbejnë vetëm sundimtarëve dhe militantëve të tyre!

I dashur Kryetar,

Gjithë kjo që shkruam përmban një lutje: përmban lutjen me të cilën ju ftojmë që si kryetar të bëni krejt ç’varet prej jush që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të bëjnë për Demokracinë e Kosovës ç’kanë bërë për Lirinë dhe Pavarësinë e saj: me politikën e tyre ta bëjnë atë Demokraci për popullin e jo vetëm për sundimtarët, t’i përkrahin Demokratët e dëshmuar e jo, si sot, Kampionët e korrupsionit e nepotizmit.

Mbesim me shprehjen e nderimeve e të ndjenjave më të përkushtuara.

GRUPI I 17 STUDENTËVE DHE 2 ASISTENTËVE TË UNIVERSITETIT PUBLIK TË PRISHTINËS

P. S.

I dashuri Kryetar, e gjithë kjo që thamë në këtë letër përmban një sinqeritet të tepruar, që mund të na kushtojë shtrenjtë, prandaj e shkruam me ngjyrë të padukshme, që do të bëhet e lexueshme pas tre vjetësh, por të cilën teknika Juaj, siç jemi të informuar, mund t’Jua bëjë të lexueshme menjëherë.

Lindja sjell gëzim të madh, kurse Vdekja sjell pikëllim të madh.

Gëzimi i lindjes dhe pikëllimi i vdekjes janë, prandaj, në kundërshti të pandërprerë të ndërsjellshme.

Kjo kundërshti sjell pyetjen e natyrshme: mos do të ishte më mirë të mos lindnim, sepse nuk do të vdisnim? U vetëpyet një pesimist, që s’kishte ditur të jetonte, prandaj s’dinte si të vdiste.

Në qoftë se s’i ka shkruar Kormak Makarti këto fjali s’e di se cili shkrimtar amerikan a francez i ka shkruar.

Havaja ime e shikon dhe e dëgjon në televizion me shumë nderim dhe përkushtim një aktore të bukur të Holivudit. Bukuria dhe mençuria janë dy virtyte që gjithmonë, thotë, i ka dashur shumë. Dhe, i ka edhe vetë. Por? Por? Por koha e sëmundja po e privon prej tyre. Au! Hava! Hava! Fjala po vjen duke t’u zbehur, e bukuria jo. Ende jo. Jo, jo, për fatin tënd e fatin tim.

*Pjesa e shkëputur nga romani “Të fshehtat e Treguara”, shtëpia botuese Toena!/dritare.net