Na ndiqni edhe në

Opinione

Kadaretë që njoha!

Kadaretë që njoha!

Nga Urim Bajrami

Kadarenë që e përcollëm sot e kam “njohur” që i vogël fare përmes librave të tij.
Në librarinë modeste të fshatit tim blija çdo libër të tij (jo vetëm) sapo të vinte.
E ndërkohë librashitësja e mirë Lavdije Bajrami (Koçi) nuk harronte asnjëherë të më sillte botimet më të fundit sa herë shkonte në qytet.

Fizikisht, ndër Kadaretë, kam njohur Kakunë, Kadrijen, motrën e vetme të vëllezërve Kadare. Ishte korrektore/redaktore të gazeta “Shekulli”.
Diku nga vitet 2000. Një grua, e mbetur beqare, që e njihte shumë mirë punën e saj. Rrezatonte vetëm mirësi. Madje, dhe kur “nxehej” ndonjë çast, siç ndodh në çdo punë, e kalonte me disa ecejake korridoreve të redaksisë.

Grua shumë FISNIKE!

I dyti që njoha ishte doktori, Shahin Kadare. Vite e vite më parë, kur shumë mjekë s’po më jepnin shpresë pas një biopsie në stomak (sa dhe vetë humba shpresën më të fundit), ai më uli përballë. Kishte në dorë rezultatet e biopsisë time, që e kishte firmosur si kryetar i komisionit përkatës. Më foli aq njerëzisht, aq thjesht, aq mirë e bukur, sa më riktheu shpresën!

Ishte MJEK!

I fundit që njoha fizikisht ishte shkrimtari. I madhi Kadare. Falë botuesit të tij, mikut Bujar Hudhri, duhet ta kem takuar Kadarenë dy a tre herë. Te “Juvenilja”. Nuk kam foto me të. Nuk e di pse. Mirëpo (në biseda ai e përdorte këtë fjalën “mirëpo” dhe jo kundërshtoren “por”), edhe po të kisha, vështirë ta publikoja.
Kam krijuar përshtypjen (ndoshta dhe gaboj) që vetë nuk kishte shumë dëshirë për foto, mirëpo…

Hapte shumë tema interesante diskutimi. Ato që i pëlqenin më shumë dhe i donte fort, mirëpo dhe e revoltonin, ishin temat kombëtare: Po na sulmojnë Skënderbenë, mik! Po na sulmojnë identitetin!

Në fund të bisedës, i drejtohej Bujarit: Ne "budallenjtë", a dalim për një xhiro nga liqeni?

Dhe ikte siç ikin gjenitë. Siç iku sot. Si shkrimtar gjeni!

Ju qoftë e lehtë lëndina, Kadare!/dritare.net