Na ndiqni edhe në

Shëndet

Fëmijët super-përhapësit e viruseve. Ja disa këshilla!

Fëmijët super-përhapësit e viruseve. Ja disa këshilla!

Nëse keni fëmijë të vegjël, ndoshta e dini tashmë: ata janë shpesh bartësit më të mëdhenj të mikrobeve në shtëpi. Një studim i ri i publikuar në revistën Pediatrics e konfirmon këtë — viruset e frymëmarrjes qarkullojnë shpesh në ambientet shkollore, dhe fëmijët më të vegjël janë më të prirur të infektohen dhe t’i përhapin ato.

Çfarë zbuloi studimi?

Studiuesit ndoqën mbi 800 nxënës dhe punonjës të një distrikti shkollor në Kansas City, Missouri, nga nëntori 2022 deri në maj 2023. Çdo javë, pjesëmarrësit dërgonin mostra nga hundët dhe plotësonin pyetësorë për simptomat e sëmundjeve respiratore, si kollë, dhimbje fyti apo ethe.

Rezultatet treguan se mbi 85% e pjesëmarrësve patën të paktën një virus gjatë periudhës së studimit, dhe më shumë se 80% përjetuan të paktën një sëmundje akute që i detyroi të qëndronin në shtëpi. Fëmijët e moshës parashkollore dhe fillore u sëmurën më shpesh, ndërsa nxënësit më të rritur dhe stafi rezultuan më rezistent.

Interesante është se shumë fëmijë testoheshin pozitivë edhe kur nuk kishin simptoma – gjë që tregon se shkollat mund të shërbejnë si “rezervuar” i qëndrueshëm i viruseve, të cilat më pas kalojnë në familje.

Cilat viruse ishin më të përhapura?

Më i zakonshmi ishte rhinovirusi – shkaktari i “ftohjes së zakonshme” – i gjetur në rreth 65% të pjesëmarrësve. Pas tij renditeshin koronaviruset sezonale (30%) dhe SARS-CoV-2, virusi që shkakton Covid-19 (15%). Studiuesit theksojnë se, edhe pse flitet shumë për gripin dhe Covid-19, viruset e zakonshme të ftohjes vazhdojnë të qarkullojnë gjerësisht gjatë gjithë vitit.

Pse fëmijët janë më të ndjeshëm?

Sipas Dr. Leana Wen, sistemi imunitar i fëmijëve është ende në zhvillim dhe nuk ka hasur ende shumë nga viruset që qarkullojnë. Për më tepër, fëmijët shpesh prekin fytyrën, ndajnë lodra, nuk lajnë duart rregullisht dhe kalojnë orë të tëra pranë njëri-tjetrit në klasa – kushte ideale për përhapjen e mikrobeve.

Çfarë mund të bëjnë prindërit?

Sipas ekspertëve, parandalimi është i thjeshtë, por duhet të jetë i qëndrueshëm:

Fëmijët super-përhapësit e viruseve. Ja disa këshilla!

Lani duart shpesh me sapun dhe ujë për të paktën 20 sekonda.
Përdorni dezinfektues me bazë alkooli kur nuk ka ujë e sapun.
Mësoni fëmijët të mbulojnë gojën dhe hundën kur kolliten apo teshtijnë, të përdorin bërrylin ose shami letre.
Pastroni dhe dezinfektoni lodrat, dorezat e dyerve, çelësat e dritave dhe sipërfaqet e përbashkëta çdo ditë, veçanërisht kur dikush është i sëmurë.
Qëndroni në shtëpi kur jeni të sëmurë për të parandaluar përhapjen.
Roli i ventilimit dhe maskave
Ajrosja e ambienteve, hapja e dritareve, përdorimi i pastruesve të ajrit me filtra HEPA dhe filtrat cilësorë në sistemet e ngrohjes mund të ndihmojnë në uljen e përqendrimit të viruseve në ajër.
Në vende të mbipopulluara apo gjatë shpërthimeve të sëmundjeve, maskat cilësore dhe të përshtatshme mund të ulin rrezikun e infektimit, veçanërisht për personat me sëmundje kronike.

Vaksinat që ndihmojnë

Dr. Wen thekson rëndësinë e vaksinimit kundër gripit për të gjithë mbi 6 muaj, vaksinës kundër Covid-19, dhe vaksinës kundër RSV për të moshuarit, gratë shtatzëna dhe disa foshnja.
Edhe pse vaksinat nuk i ndalojnë gjithmonë infeksionet, ato redukojnë ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve të rënda dhe shtrimeve në spital.

Dimri sjell gjithmonë “valë” sëmundjesh te fëmijët, por shumica janë të lehta dhe ndihmojnë trupin të zhvillojë imunitet.
Masat parandaluese nuk do të eliminojnë çdo ftohje, por mund të ulin ndjeshëm përhapjen e viruseve, duke i mbajtur familjet më të shëndetshme dhe fëmijët më të gatshëm për të mësuar gjatë gjithë sezonit./L.F-dritare.net