Një shpjegues për zgjedhjet e 30 qershorit!

Nga Dritan Hila

Konferenca për shtyp e Glower, deklarata e Ambasadës së SHBA-së dhe së fundmi deklarata e BE-së me gojën e Koçijançiç e mbyllën siparin e zgjedhjeve në Shqipëri. Të gjithë mesazhet që erdhën ishin të prerë në këtë pikë.

Perëndimi nuk mund të lejonte një tufë kaçakësh shqiptarë të krijonin precedentë me braktisje Parlamenti. Në gjithë periudhën gjashtëmujore që shoqëroi këto zgjedhje mesazhet e perëndimorëve ishin të qarta dhe pa ekuivoke deri ditën e fundit, më 30 qershor kur e detyruan opozitën të shkonte në plazhe.

Që të jemi të qartë, nuk ndodhi asgjë në 30 qershor jo për shkak të fuqisë së Ramës dhe policisë së Lleshajt, dhe as për mungesë të dëshirës së opozitës për të zhvlerësuar votimet nëpërmjet trazirave, por për shkak të mesazheve të qarta të perëndimit për këtë opozitë. Ishin këto mesazhe që e bënë të rrinte squkë.

Ndërkohë opozitën shqiptare e ka zënë sindroma e Haxhi Qamilit. Është lëshuar kundra perëndimorëve me të gjitha bateritë: politikanë të nivelit të lartë, gjysmë analfabetë dhe deri portale të tipit fletërrufe, meqenëse nuk u arrin e shtëna deri në Uashington e Bruksel, bëjnë katrahurën në Tiranë dhe nxisin urat e sherrit. Merren me kutitë e votimit sesa janë numëruar e sa janë pa vlerë, se çfarë tha Glower, madje deklaratën e saj për moszgjedhje në 30 njësi për shkak të budallallëkut të tyre duke mos marrë pjesë, t’i japin valencë sikur është në favor të opozitës. Akoma nuk e kuptojnë se këto zgjedhje u mbajtën se deshën ata dhe nuk ju intereson fare as standardi e as procesi.

LEXO DHE :  Veliaj: Krenarë që Tirana renditet në mesin e finalistëve për çmimin 'Kryeqyteti Europian i Rinisë'!

Është një qerthull, i cili do ta marrë më shumë në qafë opozitën nëse nuk ndërron sjellje. Pak e vështirë që ta kuptojnë, por duhet të përpiqen. Zgjedhjet u bënë se deshën amerikanët. Kush i kundërshtoi është mbajtur shënim. Këtë duhet ta mbajnë vëth në vesh sidomos të palexuarit. Amerikanët e kanë memorien e gjatë dhe inatin e hidhur. Sidomos kur tallesh me ta dhe nuk i merr seriozisht.

Të zgjedhurit do të futen në zyra në 11 gusht dhe kujt do t’i marrë koka erë mos t’i lëshojë, do të dalë edhe me një këmbë nga zyra. Ndërkohë reforma në drejtësi do të vazhdojë jo që të shqyrtojë ankesat e procesit zgjedhor apo dekretet e Metës (kjo ishte një tallje e hapur e Ambasadës së SHBA-së) por me synimin kryesor që të bëjë Piazza Pulita për këdo që fut shkopinj në rrota politikave perëndimore apo kujton se 28 mijë kilometra katrorë është çiflig personal.

Dhe ndërkohë opozita në vend që t’ia bëjë vetes me sy dhe citojnë budallallëkun e 85% që simpatizuaka ata, kur 52% e shqiptarëve i ka lënë puplat me kohë këtij vendi pjesërisht edhe për shkak të babëzisë kriminale të tyre, është e mira të ulen me këmbë në tokë dhe fillojnë negocimin sesi do të dilet nga kjo krizë dhe mos marrin mendjen e atyre që nuk u ka thënë njeri puna e mbarë apo sillen si dashnore të braktisura nga Rama. Përndryshe janë në rrugën e vetëvrasjes. Dhe nuk do t’i dhimbsen kujt./dritare.net

1 Koment

  1. Bravo Dritan,
    Me qarte dhe sakte nuk ka ku te shkoje me analiza juaj . Gjej nje perputhje 100 perqind te mendimeve te mia, sado modeste dhe pa shume rendesi, ne te! Vecse, menyre e shtjellimit , gjuha e perdorur dhe stili plot elegace, e bejne analizen tuaj, the best of the best. Pena juaj eshte nje nenshkrim kuptimplote per publikun se si duhet pare situata politke qe po kalojme. Besoj se per pubikun e gjere, analizat tuaja konsumohen me shume kenaqesi dhe shije, por edhe shume shpejt. Ndaj presim analizen e radhes me pa durim!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.