
Nis Kampionati Europian me përballjen Francë-Rumani
Dritare.net

Franca nuk përfshiu në skuadër sulmuesin e Realit të Madridit, Karim Benzema, për shkak të shantazhit që ai i bëri shokut të ekipit muaj më parë, por edhe pse vendin e tij në formacion u tha se do ta zinte Martial, një nga sulmuesit më premtues të kombëtares franceze, Deschamps ka vendosur të kundërtën.
Sot, Franca do të luajë me tri sulmues dhe për këtë arsye, Payet është përzgjedhur për të qenë në fushë nga minuta e parë, për t’u përfshirë në treshen ku gjen vend edhe Griezmann e Giroud.
Mesfusha e “gjelave” do të përbëhet nga ylli i kësaj skuadre Pogba, i shoqëruar nga Kantè e Matuidi. Në mbrojtje, Deschamps ka vendosur Sagna, Rami, Koscielny dhe Evra, ndërsa portën ia ka besuar Hugo Lloris.
Nga ana tjetër, rumunët do të luajnë me një formacion 4-3-2-1, i cili është totalisht mbrojtës. Rumunët kanë pësuar shumë pak në kualifikueset për “Euro 2016” duke përdorur të njëjtën taktikë, që do të përdorin edhe sot.
Statistikat favorizojnë vendasit. Në 10 ndeshje, Franca ka fituar 5 dhe ka barazuar po kaq. Ajo nuk ka humbur asnjë sfidë në kompeticione zyrtare me Rumaninë, por vetëm një miqësore në vitin 1972 në Bukuresht, ku është mposhtur me rezultatin 2-0.

















