
Zjarr në aeroportin e Londrës. Anulohen fluturimet, kaos në botë!
Dritare.net
Në orët e hershme të mëngjesit të së premtes, aeroporti Heathrow njoftoi se aeroporti do të mbyllej deri në mesnatën e së premtes për shkak të një ndërprerjeje të gjatë të energjisë elektrike të shkaktuar nga një zjarr në nënstacion.
120 avionë që ishin në ajër, u devijuan. Një zëdhënës i aeroportit u ka thënë pasagjerëve që të mos shkojnë për asnjë arsye në aeroport. Ekspertët e udhëtimit thonë se mbyllja e Heathrow do të ketë një ndikim global. Tashmë, shumë fluturime janë duke u devijuar në aeroporte të tjera.
Më shumë se 1000 fluturime do të ndikohen nga mbyllja e papritur e Heathrow. Për shkak të zjarrit më shumë se 16.300 shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike.
Heathrow është aeroporti me më shumë fluturime në Londër, me rreth 1300 fluturime në ditë dhe 80 milionë pasagjerë në vit. Në janar, qeveria i dha leje Heathrow për të ndërtuar një pistë të tretë - e cila mund të jetë gati deri në vitin 2035 - pas vitesh grindjesh ligjore të shkaktuara nga ankesat e banorëve vendas.
I ndodhur 25 km në perëndim të Londrës qendrore, Heathrow i shërben 200 destinacioneve në më shumë se 80 vende, me pasagjerë që kanë akses në katër terminale. Ndër destinacionet kryesore të fluturimeve vitin e kaluar ishin Dublini, Los Anxhelosi, Madridi dhe Nju Jorku./L.F-dritare.net

















