Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Fermeri: Mundësi ka plot, por rinia s'do të punojë

Fermeri: Mundësi ka plot, por rinia s'do të punojë

Në një nga fshatrat më të afërt me kufirin e Maqedonisë së Veriut, vetëm 10 kilometra nga Peshkopia, jeton Zia Keshi – një ish-ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një fermer i përkushtuar që sot i ka kthyer fushat e Bllatës në një plantacion me mbi 20 varietete frutash të rralla.

Në një rrëfim të sinqertë për Dritari Televizion, Zia flet me pasion për luftën, sakrificat dhe më pas përkushtimin e tij ndaj bujqësisë. Ai ka ndërtuar një fermë model, ku kultivon fidana të sjella nga Hollanda, Japonia, Kina dhe SHBA, duke përfshirë edhe bletari dhe fidanishte moderne. “Unë punoj minimumi 9 orë në ditë, çdo ditë. Nuk kam konkurrent sepse shumë thjesht – njerëzit nuk duan të punojnë,” thotë Zia me një buzëqeshje të hidhur.

Por mesazhi i tij më i fortë është për të rinjtë. “Rinia ka ikur. Kanë ikur sepse shohin njëri-tjetrin. Nuk është se nuk ka punë, është se s'duan të punojnë. Tokën e kanë, rrugën e kanë, shtëpinë e kanë – por mungon vullneti,” shprehet ai, duke shtuar se “ai që punon nuk i mungon asgjë – ai që s’punon, s’gjen dot asgjë.”

Sipas tij, komuna e Maqellarës, që dikur quhej “Hambari i Dibrës”, është sot e boshatisur për shkak të mungesës së përkushtimit ndaj tokës dhe mungesës së investimeve në vaditje.

“Nuk kemi ujë, ndaj edhe shumë toka kanë mbetur djerrë, por kjo s'do të thotë që nuk ka rrugëdalje. Kush do, gjen mënyrë,” thotë ai, duke shtuar se shpreson që qeveria të investojë në sistemet e ujitjes.

Në fund, ai ka këtë mesazh:

“I bëj thirrje të gjithë të rinjve që janë jashtë: kthehuni. S’ka si vendi yt. Investoni në vendin tuaj. Toka ju pret. E ardhmja nuk është vetëm në emigrim – është në punën me tokën, në djersën e ballit.”/L.F-dritare.net