Virusi vdekjeprurës në bordin e anijes turistike, OBSH dhe autoritetet në alarm
Dritare.net

Një shpërthim i rrezikshëm i hantavirusit në anijen turistike MV Hondius ka shkaktuar alarm ndërkombëtar, pasi deri më tani janë raportuar tre viktima dhe disa raste të konfirmuara apo të dyshuara me virusin vdekjeprurës.
Operatori i anijes, Oceanwide Expeditions, konfirmoi se dy persona në gjendje të rëndë janë evakuuar drejt Holandës për trajtim mjekësor, ndërsa një i tretë ndodhet në gjendje stabël.
Sipas autoriteteve shëndetësore, në bord ndodhen ende 146 persona nga 23 vende të ndryshme, të cilët po mbahen nën masa të rrepta paraprake. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se deri tani janë identifikuar tetë raste me hantavirus, tre prej tyre të konfirmuara dhe pesë të dyshuara.
Ekspertët dyshojnë se bëhet fjalë për variantin “Andes” të hantavirusit, i njohur në Amerikën Latine, nga ku kishte nisur udhëtimi i anijes në Argjentinë. Ky variant konsiderohet i rrallë pasi mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu përmes kontaktit të ngushtë fizik.
Mes viktimave është një grua holandeze 69-vjeçare, e cila u largua nga anija gjatë një ndalese në ishullin Saint Helena dhe më pas ndërroi jetë në Afrikën e Jugut. Një tjetër viktimë është një grua gjermane, ndërsa po hetohet edhe vdekja e bashkëshortit të holandezes.
Autoritetet në Spanjë kanë njoftuar se të gjithë personat në bord do t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore sapo anija të mbërrijë në Tenerife. Ndërkohë, presidenti i Ishujve Kanarie ka kundërshtuar hyrjen e anijes në territor, duke kërkuar më shumë informacion nga autoritetet shëndetësore.
Ekspertët theksojnë se hantavirusi zakonisht transmetohet nga brejtësit, por në këtë rast dyshohet për përhapje mes njerëzve që kanë qenë në kontakt të afërt. Autoritetet ndërkombëtare vijojnë gjurmimin e kontakteve dhe analizat laboratorike për të shmangur një përhapje më të gjerë të virusit./L.F-dritare.net