Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Drejtori i Policisë së Shtetit paralajmëron ndryshim në komunikim: Më pak alarm

Drejtori i Policisë së Shtetit paralajmëron ndryshim në

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, prezantoi një qasje të re të komunikimit institucional me median dhe qytetarët, duke theksuar se policia do të synojë një informim më të përgjegjshëm, më të strukturuar dhe sipas standardeve evropiane.

Në një konferencë për mediat, Hita deklaroi se ndryshimet vijnë pas shqetësimeve të shumta të qytetarëve mbi ndikimin negativ që, sipas tij, sjell mbingarkesa me lajme kriminale dhe mënyra e raportimit të tyre.

“Qëllimi ynë është të ndërtojmë një komunikim që informon, por nuk alarmon, që është transparent dhe i përgjegjshëm, që forcon besimin dhe jo pasigurinë”, u shpreh ai.

Sipas kreut të Policisë së Shtetit, institucioni nuk do të tërhiqet nga transparenca, por do të kalojë në një model komunikimi më profesional dhe më të kujdesshëm ndaj ndikimit që informacioni ka në shoqëri.

Ai bëri të ditur se statistikat mujore dhe vjetore mbi kriminalitetin dhe sigurinë publike do të publikohen në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit, ndërsa për ngjarjet në dinamikë do të ketë informim në kohë reale nga drejtuesit lokalë dhe zëdhënësit e policisë.

Një tjetër ndryshim do të jetë organizimi i konferencave mujore nga drejtoritë vendore të policisë për të raportuar mbi rezultatet dhe sfidat në çdo qark.

Hita theksoi se informacioni i pakonfirmuar dhe raportimi i nxituar mund të dëmtojnë hetimet dhe të krijojnë perceptim të shtrembëruar për sigurinë në vend.

“Mbingarkesa me lajme kriminale krijon një ndjenjë pasigurie që jo gjithmonë pasqyron realitetin”, deklaroi ai./L.F-dritare.net