Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Vajzat adoleshente e shohin veten përmes syve të djemve

Vajzat adoleshente e shohin veten përmes syve të djemve

Nga Catherine Carr, BBC

Një tabelë e shkruar me dorë, e ngjitur në derën e një dhome private, lexon: “VETËM PËR VAJZA”, “Djemtë të mos hyjnë!”, dhe me një notë shakaje: “mos u shqetësoni djem!”. Është zbukuruar me zemra dhe yje shumëngjyrëshe. Brenda, shumë vajza në një klub rinor në Carmarthen të Uellsit janë të përqendruara në një lojë me letra. Kur ulem me to, biseda nis menjëherë, e lirshme dhe e ngrohtë, ndërsa porositet edhe pica.

Vajzat adoleshente e shohin veten përmes syve të djemve

Kjo vizitë ishte pjesë e një projekti ku u bisedua me rreth 150 vajza, kryesisht 13 deri në 17 vjeç. Ajo që doli nga këto biseda ishte një tablo e gjallë: vajza të zgjuara, të hapura, me humor, plot ëndrra dhe plane për të ardhmen. Ato flisnin për dëshirat e tyre, nga profesione si mjeke deri te gjëra të vogla të jetës së përditshme, për dashurinë ndaj shoqeve dhe për kujdesin ndaj familjes.

Por mes gjithë kësaj energjie pozitive, një temë u përsërit vazhdimisht: vajzat adoleshente ende e shohin veten përmes syve të djemve dhe e dinë shumë mirë këtë.

Kur u bë pyetja e drejtpërdrejtë: “Si është në të vërtetë të jesh vajzë sot?”, përgjigjet shpesh nisnin me: “Djemtë mendojnë…”, “Djemtë thonë…”, “Djemtë duan…”. Ishte sikur çdo diskutim, në një mënyrë apo tjetër, kthehej te djemtë.

Një vajzë e përmblodhi kështu:

“Të rritesh si vajzë do të thotë që shumë nga përvoja jote lidhet me mënyrën si sillen djemtë ndaj teje… dhe kjo është shumë frustrues.”

Pesha e pritshmërive

Vajzat flisnin hapur për presionet që ndjejnë: pritshmëritë shoqërore, ndikimi i shkollës, dhe sidomos standardet e pamundura të bukurisë që shohin çdo ditë në rrjetet sociale. Ato përshkruanin edhe diçka më të thellë: mënyrën si mësojnë të sillen për të lundruar në një botë ku duhet të jenë njëkohësisht të pranueshme dhe të sigurta.

Edhe pse në grup ndiheshin të lira, pothuajse të gjitha pranuan se sillen ndryshe kur janë djemtë pranë. Ato përpiqen të mos duken “shumë”, të mos jenë shumë të zhurmshme, të mos bien shumë në sy. Shpesh përpiqen të jenë më të qeta, më të vogla, më pak të dukshme.

Mësuesit e vërejnë këtë si një tendencë për “të mbajtur kokën ulur” dhe për të mos krijuar probleme. Ndërkohë, djemtë shpesh lejohen të jenë më të zhurmshëm dhe më të lirë në sjellje.

Vajzat adoleshente e shohin veten përmes syve të djemve

Studiuesit thonë se vajzat ndjejnë një presion të madh për t’u sjellë si më të pjekura se sa janë në të vërtetë, të jenë të qeta, të kontrolluara dhe të mos shprehin shumë emocione.

Një pjesë e madhe e vajzave folën për përvoja ngacmimi dhe për ndjenjën e pasigurisë. Shumë prej tyre kanë ndryshuar mënyrën si sillen në jetën e përditshme për të shmangur situata të pakëndshme. Komentet në rrugë, shikimet, apo sjelljet e papërshtatshme janë bërë pjesë e zakonshme e përvojës së tyre.

Ato janë shumë të vetëdijshme për faktin që shpesh gjykohen nga pamja dhe tërheqja fizike, dhe e kuptojnë se kjo mund të ndikojë edhe në sigurinë e tyre.

Jeta në shkollë

Në shkollë, vajzat përballen shpesh me komente nënçmuese nga djemtë. Shprehje si “kthehu në kuzhinë” apo “bëj një sanduiç” nuk janë të rralla. Vajzat e kuptojnë se këto sjellje lidhen edhe me ndikimin e internetit dhe kulturave toksike që përhapen online.

Një nxënëse shpjegoi:

“Duket sikur disa djem kërkojnë dikë për të fajësuar për problemet e tyre, dhe shpesh zgjedhin vajzat.”

Kjo i vendos vajzat në një situatë të vështirë: nga njëra anë ndjejnë empati për problemet e djemve, por nga ana tjetër ndjejnë frikë nga mënyra si disa prej tyre mund të reagojnë.

Sfidat që shkojnë përtej shkollës

Problemet nuk ndalen vetëm aty. Po rritet mungesa në shkollë, shpesh për shkak të ankthit apo përgjegjësive familjare. Disa vajza të reja kujdesen për motra e vëllezër më të vegjël, duke humbur mësimet. Megjithatë, pavarësisht këtyre sfidave, çdo vajzë kishte ëndrra për të ardhmen. Ato janë të vetëdijshme për mundësitë që kanë sot, krahasuar me brezat e mëparshëm, dhe ndihen mirënjohëse për to.

Por njëkohësisht, ndjejnë se progresi për gratë nuk është i garantuar. Ato shohin në rrjetet sociale ide që duket sikur po e kthejnë pas këtë progres.

Rrjetet sociale: një ndikim i dyfishtë

Vajzat adoleshente e shohin veten përmes syve të djemve

Vajzat e kuptojnë shumë mirë se standardet që shohin online janë të rreme dhe shpesh të dëmshme. Megjithatë, ato pranojnë se ndjejnë presion për t’i ndjekur.

Rrjetet sociale janë njëkohësisht:

vend ku lidhen me shoqet
burim argëtimi
dhe burim presioni dhe pasigurie
Ato flasin për bullizëm online, për presionin për të qenë gjithmonë të pranishme dhe për frikën e përjashtimit.

Disa madje mendojnë se brezi i tyre mund të jetë i fundit që përjeton një fëmijëri të vërtetë, pasi fëmijët po rriten gjithnjë e më shpejt.

Edhe pse shumë vajza ndonjëherë dëshirojnë një botë pa rrjete sociale, ato e dinë se kjo nuk është e thjeshtë. Jeta e tyre është tashmë e lidhur ngushtë me botën online.

Por një gjë doli qartë: hapësirat reale si klubet rinore, sporti apo aktivitetet artistike kanë një ndikim shumë pozitiv. Në këto vende, vajzat ndihen të lira të jenë vetvetja – të zhurmshme, energjike, pa frikë nga gjykimi.

Kjo ngre një pyetje të rëndësishme:
Nëse duam t’i largojmë të rinjtë nga ekranet, a kemi krijuar vende më të mira për ta në jetën reale?/L.F-dritare.net