Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama: E hoqëm subvencionimin e naftës për fermerët sepse abuzonin, përdorej për makina në qytet

Rama: E hoqëm subvencionimin e naftës për fermerët sepse

Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të premte një takim në Berat me sipërmarrës të përpunimit të vajit të ullirit, ku për herë të parë u ndal edhe te mundësia e heqjes së subvencioneve të naftës për fermerët. Rama tha se, sipas analizave të institucioneve, skema e subvencionimit të naftës për rreth 60 mijë fermerë nuk ka sjellë rritje të prodhimit dhe është shoqëruar me abuzime. Sipas tij, një pjesë e naftës së përfituar nuk është përdorur për bujqësinë, por për qëllime të tjera, përfshirë përdorim në qytet.

“Kemi pasur mbi 60 mijë që kanë marrë naftë, ndërkohë që ne e dimë shumë mirë që fuqia prodhuese, baza prodhuese e madhe apo e vogël, nuk e ka këtë lloj proporcioni. Nuk kanë 60 mijë njësi prodhimi dhe në këtë sens ne nuk kemi hequr mbështetjen për asnjë që ka nevojë për naftë, por kemi hequr mundësinë që nafta të abuzohet dhe të përdoret për qëllime që nuk kanë lidhje me bujqësinë. Shumë njerëz që punojnë tokat e të tjerëve kanë qenë të detyruar të marrin naftën dhe t’ua japin të tjerëve, sepse është dhënë për sipërfaqe dhe sipërfaqja është në emrin e dikujt tjetër. Ai person tjetër mund të ketë një makinë në qytet dhe merr naftën nga ai që punon tokën. Dhe e treta, nuk ka rezultuar që kjo formulë ka ndikuar në rritjen e parametrave të prodhimit dhe as që dalja nga kjo formulë do të sjellë ulje të prodhimit”,- tha Rama./K.C/dritare.net