
Unë linda në një arë, jeta ime, si një film! Historia e kronikanit të Kudhësit!
Dritare.net
Sot rubrika “Jeta ime” e emisionit “Shqip” nga Rudina Xhunga në DritareTv iu kushtua një personazhi shumë të veçantë, kronikanit Jorgo Gjinit, që jeton mes fshatit të zemrës, Kudhësit, Korfuzit-Greqisë dhe Vlorës. Jorgo Gjini ndau me gazetaren Rudina Xhunga copëza nga jeta e tij dhe sigurisht nuk mungonin kujtime të trishta. Zoti Gjini tregon se si nëna e solli në jetë para kohe në një arë, rrugës kur po shkonte në stan, e trembur nga bombardimet e luftës sepse ishte mesi i Luftës së Dytë Botërore. Një kujtim i trishtë nga jeta e Gjinit është vrasja e vëllait të tij, 13-vjeçar nga gjermanët, teksa ishte duke u çuar ushqim partizanëve në vitin 1944, ndërsa një vit më parë i pushkatuan në Progonat xhaxhanë, që kishte vetëm pak kohë që ishte kthyer nga Greqia për strehim politik. Zoti Gjini tregon se vëllait të tij të vrarë nga gjermanët, nuk ia dhanë kurrë statusin e Dëshmorit të Kombit, pasi pas luftës ai u quajt viktimë e luftës.
“Unë kam lindur në Kudhës të Himarës në 1940 gjatë luftës italo-greke. Nëna ime shtatzënë, atë ditë ishte duke shkuar në stan për t’i çuar ushqim të shoqit dhe djalit të madh, rreth 2 orë e gjysmë larg fshatit. Papritur në atë rrugë nëna e trembur nga bombardimet e luftës u detyrua të bënte një lindje të sforcuar përpara kohe dhe lindi në fushë mes dy maleve. Nëna ime lindi në mes të fushës dhe unë ja ku jam sot duke folur për të. Ajo lindi dhe të tjerë fëmijë pas meje. Mua më kanë treguar se babai juaj ka dhënë mësim në fshatin e Kudhësit dhe unë prandaj erdha tek ju. Në vitin 1940 pas lindjes deri në moshën 15 vjeç kam qenë çoban. Atë periudhë në fshat erdhi ish-kryeministri i Shqipërisë Mehmet Shehu për kooperativën. Ne në fshat kishim dy kambana të mëdha që dëgjoheshin në të gjithë fshatin. I gjithë fshati ishte lajmëruar atë ditë se në ditë të zakonshme ishin të gjithë të shpërndarë me bagëti.
Në 1944 në luftë u vra një vëllai im duke çuar ushqime për partizanët në kodrat afër Pilurit. Në atë kohë kishin ardhur gjermanët në fshat dhe kishin kërkuar partizanë të strehuar. Gjermani erdhi në fshat dhe i mblodhi të gjithë në kishë, duke i kërcënuar me vdekje. Gjermanët e dinin se brigade e 6-të dhe e 7-të ndodhej në male. Ndërsa përballë stanit tonë ishte brigade e bregut dhe babai dërgoi vëllain për të dërguar ushqim dhe ujë te partizanët. Gjermanët e diktuan pasi vëllai im, 13-vjeçar në atë kohë kishte një kapele me yll të vendosur. Gjermanët e vranë vëllain me breshëri automatiku. Por, me gjithë përpjekjen e babait, vëllai jonë nuk u shpall dëshmor, por u quajt viktimë lufte. Kjo ndodhi pasi xhaxhai jonë Manol Gjini jetonte në Athinë që në vitin 1903 dhe atje kishte mbaruar akademinë ushtarake. Manol Lezua në këtë kohë ai themeloi Partinë Komuniste Greke. Në vitin 1970 ai rrëmbeu një avion atje dhe u ul në pistën e Vlorës dhe kërkoi strehim politik. Në vitin 1943 në Greqi ra kriza e urisë dhe shumë fshatarë tanët ishin kthyer, edhe kufiri u mbyll. Manoli mbeti andej. Në atë kohë e gënjyen dhe i thanë partizanët në Kurvelesh kanë nevojë për informacion. Por, në pabesi pa shkuar në Progonat ai u pushkatua. Një ditë më vonë u arrestua prifti i fshatit dhe i pushkatoi pa gjyq. Prandaj edhe vëllai jonë nuk u shpall partizan. Në ditën që erdhi Mehmet Shehu mamaja i kërkoi sërish babait që t’i kërkonte ta shpallte vëllain dëshmor. Babai kërkoi edhe më pas me dokumentet që kish, por nuk u bë asgjë dhe vëllai jonë mbeti viktimë e luftës ashtu u quajt gjithmonë.”, u shpreh zoti Gjini në DritareTv.
Jorgo Gjini tregoi për gazetaren librin që ka botuar me foto të kapura prej tij që nga viti 1944. Në këtë libër me 700 fotografi ai tregon historinë e fshatit dhe flet emër për emër për bashkëfshatarët e tij. Ai ka përfshirë në libër disa momente të filmuara nga 15 shtete të Evropës.
“Unë kam historinë e fshatit tim në 700 fotografi dhe në kamerën time Sony. Pas viteve ‘90 unë mora rrugën rreth moshës 55 vjeçare, ndërsa sot jam 83 vjeç. Unë sapo mora vizën shkova në Korfuz.
Unë gjatë kohës kur vajta ushtar kam punuar në hidrocentralin e Ulzës dhe atje mësova zanatin e saldimit. Bëra shkollë për atë punë. Unë atje kisha të bëja me dy vëllezërit e Liri Belishovës. Kur u largova nga ushtria, në Vlorë mësova se në Kallarat kishte mundësi të punoja. Atje Rami Memushaj më ndihmoi dhe më futi traktorist në SMT-në e Vlorës. Por unë gjithë këtë kohë isha larg familjes, nuk kisha as shtëpi asgjë tjetër. Daja im Spiro Jovani që ishte drejtor shkolle më ndihmoi të studioja për saldator dhe tornitor në një shkollë në Durrës.
Atë periudhë grekët na ndihmuan me viza. Kur shkova në Korfuz edhe atje punova si saldator deri sa mbusha moshën për pension dhe mosha nuk më lejonte të punoja më. Atë kohë unë mora një kamera dhe doja të shkoja e të kthehesha sërish në fshatin tim. Të filmoja nënën, motrën. Pastaj doja të filmoja gjithë fshatin. Duke kaluar në çdo rrugicë, në çdo shkollë, në çdo derë, duke intervistuar çdo banorë të fshatit tim. Por, sot shumica prej tyre nuk jeton më. Dëshira ime për të patur një kujtim për Kudhësin dhe nga Kudhësi. S’ka as dy vite që kur unë pas atyre videove më ra mendimi për të shkruar edhe këtë libër. Kur unë filmoja në vitin 1994 nuk kishte njeri kamerë apo aparat fotografik, dhe më thoshin: “Ti po filmon, por kush do të na shohë?”
Këtë kopje libri që unë kam këtu e kam për gazetarin Aleksandër Çipën. Ne filmimet e mia është çdo gjë që nga viti 1994. Unë gjatë gjithë kohës kam mbajtur shënimet e mia. Gruaja ime më ka shoqëruar në të gjithë Evropën, në gati 15 shtete të Evropës, të cilat i kam hedhur edhe në libër.
Këtë libër e ka edhe kryeministri, edhe Damian Gjiknuri, por edhe të gjithë ata që janë bashkëfshatarët e mi. Të gjitha i kam bërë në jetë, vetëm infermier dhe doktor nuk jam bërë dot. Të gjithë ata që janë nga Kudhësi i siguroj se në librin tim e kanë një emër të familjarëve të tyre. Unë librat i kam lënë te klubi i kishës, te “Kafe Kudhësi”. Unë verën e kaloj në Korfuz, sepse kam jetuar 30 vite atje. Ndërsa shumicën e kohës tani jam në Vlorë, afër turizmit të vjetër ndodhet shtëpia ime sot. Njerëzit në Korfuz janë të gjithë arvanitas, deri në vitin 1913 ishin 13 mijë shqiptarë të bregdetit. Ndërsa me hapjen e kufijve në Korfuz mund të jenë më shumë se 20 mijë shqiptarë. Çdo 10 gusht Kudhësi ka festën e tij që mblidhet çdo vit.”, e mbylli rrëfimin zoti Jorgo Gjini./K.C/dritare.net

















