Tragjedia në Durrës, Rama thirrje mediave: Tregoni vetëpërmbajtje!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka bërë një thirrje publike ndaj mediave dhe portaleve pas aksidentit tragjik në Durrës, duke kërkuar përgjegjësi dhe ndjeshmëri në raportimin e ngjarjes. Në një reagim në platformën X, Rama thekson se ndërsa i gjithë vendi është në pikëllim dhe drejtësia po bën punën e saj me autorin, mediat duhet të tregojnë vetëpërmbajtje në publikimin e materialeve, veçanërisht atyre me përmbajtje të rëndë.
Reagimi i plotë:
"Ndërsa i gjithë vendi është në pikëllim për këtë ngjarje dhe drejtesia bën punën e saj me autorin, është detyrë e të gjithëve po veçanërisht e mediave e portaleve, të tregojnë vetëpërmbajtje, ndjeshmëri dhe përgjegjësi.
Publikimi apo shpërndarja e pamjeve të rënda nuk informon, por vetëm shton dhimbjen e atyre që po përballen me një humbje të pakthyeshme dhe e hienizon botën e informacionit.
Respekti për dinjitetin njerëzor dhe dhimbjen e të prekurve drejtëpërdrejt duhet të jetë mbi çdo sensacion apo klikim. Le të tregojmë solidaritet, humanizëm dhe njerzillëk në një ditë tragjike si kjo.", shkruan Rama./K.C/dritare.net


