The Guardian: Kosova voton sot për t’i dhënë fund fund krizës politike!
Dritare.net

The Guardian i ka kushtuar një artikull zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, duke theksuar pjesëmarrjen e qytetarëve që shpresojnë në zgjidhjen e ngërçit politik që ka kapluar vendin për pjesën më të madhe të këtij viti.
Zgjedhjet u caktuan pasi partia qeverisëse, Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, nuk arriti të formojë qeverinë pas fitoreve në zgjedhjet e 9 shkurtit. Ky ishte hera e parë që Kosova nuk krijoi një qeveri që nga shpallja e pavarësisë në 2008.
Partia e Kurtit mbetet favorite, por mbetet e paqartë nëse do të sigurojë shumicën në parlamentin me 120 vende. Sipas ligjit, 20 vende i takojnë automatikisht komunitetit serb dhe pakicave tjera. Një votim i papërfunduar mund të thellonte krizën, duke ndikuar negativisht në ekonominë e vendit.
Ligjvënësit do të zgjedhin gjithashtu një president të ri në mars, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit, duke rrezikuar zgjedhje të tjera të parakohshme në rast të dështimit.
Opozita kryesore, LDK dhe PDK, akuzojnë Kurtin për autoritarizëm dhe tensionim të marrëdhënieve me SHBA dhe BE. Kurti, ish-i burgosur politik, ka mbajtur qëndrim të fortë në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Beogradin, gjë që ka sjellë masa ndëshkuese nga BE dhe SHBA.
Në zgjedhjet e mëparshme, Vetëvendosje fitoi 42% të votave, ndërsa dy partitë rivale morën së bashku rreth 40%. Analistët paralajmërojnë se edhe ndryshimet më të vogla mund të jenë vendimtare për shpërndarjen e pushtetit.
Tensionet me komunitetin serb në veri u qetësuan pas një transferimi paqësor të pushtetit në bashkitë serbe, ndërsa Kosova ka rënë dakord të pranojë migrantë të deportuar nga SHBA, si pjesë e masave të administratës Trump.
Kosova mbetet një nga ekonomitë më të dobëta të Evropës dhe një nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që kërkojnë të anëtarësohen në BE, por normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mbetet kusht kyç./The Guardian