
SPAK kërkon 36 vite e 6 muaj burg për 8 të pandehur në çështjen e sterilizimit
Dritare.net
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar pretencën për dosjen e koncesionit të sterilizimit, duke kërkuar gjithsej 36 vite e 6 muaj burg për 8 të pandehur. Ndërkohë, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, do të gjykohet veçmas, pasi ka refuzuar të përfitojë nga gjykimi i shkurtuar.
Sipas SPAK, ky koncesion i dhënë në mënyrë të paligjshme ka pasur një kosto prej 100 milionë euro dhe një afat 10-vjeçar. Gjatë hetimeve, prokuroria ka konstatuar shkelje të shumta ligjore, falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim të detyrës nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët kanë bashkëpunuar me biznesmenin Ilir Rrapaj, për të favorizuar kompaninë e tij në tenderin e sterilizimit.
Dënimet e kërkuara nga SPAK:
Klodian Rjepaj (ish-zv.ministër i Shëndetësisë): 10 vite burg (6.8 vite me gjykim të shkurtuar)
Ilir Rrapaj (biznesmen): 10 vite burg (6.8 vite me gjykim të shkurtuar)
Marsela Serjanaj dhe Saimir Kadiu (ish-drejtues në ministri): 3 vite e 6 muaj burg secili (2 vite e 4 muaj me shkurtim)
Petraq Mersini: 3 vite e 6 muaj burg, konvertohet në shërbim prove
Arben Gjata, Naile Ajazi dhe Genc Burazeri: 2 vite burg secili (1 vit e 4 muaj me shkurtim), gjithashtu të konvertuara në shërbim prove
Akuza kryesore:
Vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal
Falsifikim dokumentesh
Shpërdorim detyre
SPAK thekson se ish-zv.ministri Klodian Rjepaj ka kryer të gjitha përllogaritjet financiare që i hapën rrugën kontratës, duke i modifikuar vazhdimisht për të siguruar miratimin nga Ministria e Financave. Gjithashtu, ai kishte përfshirë një kompani ku vetë kishte interesa të drejtpërdrejta.
Nga hetimet rezulton se numri i ndërhyrjeve kirurgjikale ishte i manipuluar, kostot ishin të fryra në mënyrë fiktive dhe përfshinin edhe zëra që nuk kishin lidhje me shërbimin e sterilizimit. Vetëm në një rast, SPAK thekson se kostot ishin rritur në mënyrë të rreme me 56.4%./L.F-dritare.net

















