
Sot Kuvend! Në rend dite raportime të disa institucioneve!
Dritare.net
Sot Kuvendi do të mblidhet në orën 10:00 për seancën plenare, ku në rend dite janë raportimet e disa institucioneve për vitin 2024. Por në fokus të diskutimeve do të jenë Komisionet e Posaçme, atë për Reformën Zgjedhore dhe Territorialen, ndërsa pritet që të vendoset edhe për ngritjen e tyre.
Një ditë më parë, në Konferencën e Kryetarëve pati diskutime dhe mosdakordësi lidhur me Zgjedhoren. PS kërkon një formulë ku dy partitë e mëdha të kenë nga një bashkëkryetar, PS 8 anëtarë dhe 8 partitë e tjera opozitare.
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se pjesë e komisionit duhet të jenë edhe partitë e tjera parlamentare. Kështu do të përfshihej edhe partia e Tom Doshit, por për PD-në kjo prish barazinë në komision sepse PSD historikisht ka votuar pro socialistëve. Edhe për Territorialen, demokratët kërkojnë barazi.
Priten diskutime edhe për projektligjin për "Menaxhimin e integruar të mbetjeve" dhe projektvendimin "Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Shqyrtimin dhe Përzgjedhjen e Kandidaturave të Komisionit Rregullator të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve".Sa i përket raportimeve të disa institucioneve, parashikohet raportimi i veprimtarisë së Avokatit të Popullit për 2024, i Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri, i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish - Sigurimit të Shtetit, dhe raportimi i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Sakaq, në orën 09:30, mblidhet edhe Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për të shqyrtuar vendimin e KQZ-së për t’i dhënë mandatin e deputetit Besnik Brahimit dhe Shkurt Laskut të PSD. Mandati iu kalon Brahimit dhe Laskut si dy më të votuarit pasi Tom Doshi dhe Sabina Jorgo hoqën dorë nga mandati.

















