
Situata në Theth/ Shkarkohen Drejtori i Policisë së Shkodrës dhe shefi i Komisariatit
Dritare.net
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Fatmir Lleshaj, dhe shefi i Komisariatit, Nik Nikolla, janë shkarkuar nga detyra, ndërsa shefi i stacionit policor në Theth është pezulluar dhe po i nënshtrohet hetimit disiplinor për shkelje të rënda lidhur me ndërtimet pa leje dhe zaptimin e hapësirave publike në këtë zonë.
Në krye të Policisë së Shkodrës është komanduar Gentian Berberi, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në një deklaratë të fortë paralajmëroi drejtuesit e qarqeve të tjera që të mbajnë përgjegjësi të plotë për çdo shkelje që konstatohet në territoret e tyre.
"Ky është një mesazh i qartë për të gjithë Drejtorët Vendorë të Policisë që duhet të jenë të kujdesshëm dhe të dinë çdo veprim pa leje që bëhet në territorin e tyre. Nëse nuk e dinë, nuk mund të qëndrojnë më në detyrë," tha Proda, duke ftuar qytetarët që të denoncojnë çdo rast abuzimi, neglizhence apo sjellje të papërshtatshme nga punonjësit e policisë.
Ky veprim erdhi pas një situate të rënduar me ndërtimet e paligjshme në zonën e Thethit, që kanë shkaktuar reagime të forta në komunitet dhe kanë ngritur shqetësime për mbrojtjen e hapësirave publike dhe natyrës./K.C/dritare.net

















