
Çfare bën mungesa e magnezit. Flet mjeku Hitoaliaj!
Dritare.net

Magnezi është një mineral i rëndësishëm që ndihmon në funksionimin e shumë proceseve biologjike, përfshirë prodhimin e energjisë dhe funksionimin normal të muskujve dhe nervave.
Mjeku Matjan Hitoaliaj, i ftuar në DritareTV, ka folur për rëndësinë e magnezit në trupin e njeriut dhe pasojat që mund të sjellë mungesa e tij. Ai ka theksuar se magnezi është një mineral shumë i rëndësishëm, i cili mbulon rreth 300 procese enzimatike të trupit dhe ka një ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e përditshëm.
Hitoaliaj ka shpjeguar se një nga mënyrat kryesore për të matur nivelet e magnezit në trup është duke përdorur analiza të gjakut. Ai ka theksuar se magnezi nuk është gjithmonë në përqendrimin e tij të duhur në gjak, pasi shumica e tij ruhet në kocka dhe muskuj, përkatësisht 60% e magnezit është depozituar në këto organe.
Ai ka theksuar gjithashtu se rreth 50% e popullsisë botërore ka mungesë të magnezit, një problem që mund të shkaktojë shqetësime të shumta shëndetësore. Mungesa e magnezit mund të lidhet me probleme të tilla si tension i lartë i gjakut, çrregullime të ritmit të zemrës, dhimbje kronike dhe çrregullime të humorit.
Në fund, Hitoaliaj u bëri thirrje të gjithëve që të monitorojnë nivelet e magnezit dhe të përfshijnë më shumë ushqime të pasura me magnez në dietën e përditshme, si spinaqi, arrat, farat dhe produktet e qumështit, për të parandaluar pasojat e mungesës së tij./E.P-dritare.net

















