
Si e përballoi Shqipëria një krizë blegtorie në vitet ’60! Flet veterineri!
Dritare.net
Në një intervistë për emisionin Shqip në Dritare TV nga Rudina Xhunga, veterineri dhe ish-drejtuesi i ndërmarrjes bujqësore të Roskovecit, Aleksandër Jorgaqi, riktheu vëmendjen te një nga krizat më të rënda që ka kaluar blegtoria shqiptare: ajo e fundit të viteve 1960.
“Atëherë Shqipëria po përjetonte një rënie të theksuar të numrit të krerëve dhe prodhimeve shtazore,” – rrëfen Jorgaqi. “Por shteti reagoi. U mor një kredi nga Kina dhe u importuan 3.500 bagëti barëse nga vendet më të zhvilluara – Holanda, Gjermania, Austria, Danimarka. Me to u ngritën komplekse moderne rreth qyteteve të mëdha.”
Ai kujton se nuk u sollën vetëm kafshët e racave të mira, por edhe teknologjia për ndërtimin dhe mekanizimin e fermave, gjë që ndikoi drejtpërdrejt në rritjen e prodhimit dhe stabilizimin e furnizimit të qyteteve.
“Nuk u zgjidh gjithçka, por u shmang katastrofa. U rrit prodhimi, u krijuan qendra të fuqishme industriale bujqësore, si në Tiranë, Fier, Korçë, Durrës,” – kujton ai.
Sipas Jorgaqit, ky është një shembull historik që tregon se kur shteti ka vullnet dhe vizion, krizat nuk vetëm menaxhohen, por edhe kthehen në mundësi.
Sot, ndryshe nga atëherë, Shqipëria nuk po merr asnjë masë reale, sipas tij.
“Në vend të importojmë kafshë, importojmë qumësht pluhur. Në vend të ngremë ferma, japim tokën për resorte. Në vend të zbatojmë teknologji, blejmë reklama për bidona.”
Për Jorgaqin, kriza e viteve ’60 është një leksion që duhet lexuar urgjentisht sot. Nëse atëherë u ndërtuan ferma në kohë rekord, sot – me kapitalin privat në rritje – mund të bëhen shumë më tepër, nëse shteti heq dorë nga pasiviteti dhe mbështet realisht prodhimin vendas./dritare.net

















