
Si do të transformohet kalaja e Ali Pashës!
Dritare.net
Fotografi me përvojë ndërkombëtare, Robert Hackman ka qëndruar së fundmi në kalanë historike të Tepelenës për të dokumentuar jetën e komunitetit që banon ende brenda mureve shekullore të saj, si dhe rolin qendror të bektashizmit në këtë hapësirë unike ku historia, feja dhe jeta e përditshme ndërlidhen në mënyrë harmonike.
Gjatë qëndrimit të tij, Hackman bisedoi me banorë si Gëzimi, i cili prej 47 vitesh jeton brenda kalasë së ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena, një figurë e rëndësishme që mbështeti urdhrin bektashian dhe e bëri këtë zonë një strehë për dervishët gjatë periudhës së përndjekjes nga autoritetet osmane.
“Këtu nuk ka ndarje. Ortodoksë, myslimanë, bektashinj – të gjithë jetojnë në harmoni. Mendoj se kjo është një nga pasuritë më të mëdha të Shqipërisë: bashkëjetesa fetare”, tha Gëzimi për Hackman, teksa i tregonte për tyrben e vogël dhe të bukur që ndodhet përballë shtëpisë së tij, një vend i shenjtë i mbajtur me kujdes dhe dashuri nga komuniteti.
Gëzimi tregon se brenda kalasë së Tepelenës, po punohet për një projekt të ri.
“Ideja nuk është vetëm të tregosh për bektashinjtë si urdhër fetar, por për mënyrën se si ata kanë ndërtuar ura bashkëjetese në një kohë përçarjesh. Ky është një mesazh që bota sot ka nevojë ta dëgjojë”, tha Hackman.
Sipas tij, ky projekt do të ndihmojë jo vetëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por edhe në zhvillimin e turizmit në zonë, pasi kalaja pritet të transformohet me ndërtime të reja, si shtëpi të restauruara, kafene dhe hapësira publike që do të sjellin jetë dhe vizitorë të shumtë.
Kalanë e Ali Pashë Tepelenës, ku ende sot banojnë familje dhe ku historia është pjesë e përditshmërisë, Hackman e sheh si një qendër të gjallë kujtese dhe dialogu, një simbol i identitetit shqiptar, tolerancës dhe qëndresës shpirtërore./L.F/dritare.net

















