
Shano: Opozita në Shqipëri, luftë për mbijetesë!
Dritare.net
Ekonomisti Dritan Shano i ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV komentoi situatën politike në Shqipëri. Shano tha se në Shqipëri nuk ka opozitë, por është vetëm një grup që po lufton për mbijetesë.
“Në Shqipëri nuk ka opozitë sot. Nevoja e asaj që njihet si opozitë, është të jetë një nga këmbët e tavolinës, mundësisht ajo më e shkurtra që bën zhurmë, në mënyrë që ai që ka pushtetin, të nxjerrë shukat me lekë nga xhepi dhe t’i vendosë poshtë që të ndërpresë zhurmën. Kjo është skena primitive e opozitës.
Në krahun e opozitës po luftohet vetëm për mbijetesë. Për të eliminuar çdo mundësi që populli opozitar, ai i vërteti të gjejë një përfaqësim. Ata duan të ruajnë kartonin e opozitës, qoftë Berisha, Meta apo Basha. Po përdorin një mekanizëm mosbesimi, konflikti. Opozita ka detyrën kryesore që të detyrojë qeverinë të zbatojë planin për të cilin e kanë votuar qytetarët. E dyta është që ta kritikojë qeverinë kur nuk është duke zbatuar ky plan. Detyra e tretë është ta rrëzojë qeverinë kur nuk e zbaton programin. Opozita në këtë vend nuk zbaton këtë procedurë. Por e lufton qeverinë sepse po nuk po bën atë që i pëlqen asaj.”, tha zoti Shano në DritareTV./K.C/dritare.net

















