
Sezoni i kanabisit/ Nis kontrolli nga ajri me 50 dronë, rikthehet edhe monitorimi nga Guardia di Finanza!
Dritare.net
Fillimi i pranverës shënon periudhën e mbjelljes së kanabis sativa-s. Në maj, bima ka hyrë në fazën e rritjes. Për këtë arsye, ky muaj shënon dhe organizimin e policisë për goditjen e fenomenit të kultivimit, i përhapur në zona të ndryshme të vendit, nga veriu në jug.
Aksionet e para janë kryer, ndërsa për të gjithë sezonin, deri në vjeshtë, qindra efektivë policie në të gjithë vendin do të angazhohen për kontrollin e zonave më problematike.
Burime pranë Policisë së Shtetit bëjnë me dije se janë në total 50 dronë me rezolucion të lartë në dispozicion të 12 drejtorive të qarqeve dhe policisë kufitare për të vëzhguar nga ajri çdo pëllëmbë toke që dyshohet se mund të mbillet me kanabis. Të dhëna të tjera, për kultivim kanabisi pritet të japin edhe droni “Bayraktar” dhe 2 satelitët “Albania 1” dhe “Albania 2”.
Muajt e parë të vitit policia është përpjekur që përmes inteligjencës informative të godas rastet e mbjelljes në kubikë, që në fazë fillestare. Ndërsa operacionet në terren, javët e fundit, kanë dhënë rezultatet e para, me mbi 5 mijë rrënjë dhe kubikë kanabis të asgjësuar.
Edhe këtë vit, kontrolli nga ajri i është besuar partneritetit me Guardia di Finanza italiane, e cila bëhet me dije se ka mbërritur në Tiranë në mes të prillit.
Helikopteri i Guardia di Finanza nisi fluturimet nga 1 maji mbi terrenet më të vështira, aty ku kontrolli me mjete të tjera është më i vështirë. Gjatë muajve në vijim, fokusi pritet të jetë në veri në malet e Dukagjinit në Shkodër, Mirditë, Tropojë, Krujë dhe Dibër, aty ku në vitet e fundit ka qenë tentativa më e madhe për mbjelljen me kanabis. Në jug, Vlora, Tepelena, Skrapari dhe jo vetëm konsiderohen pikat më të nxehta dhe sërish pritet të kultivohet.
Vitet e fundit u vërejtën dhe rast të përdorimit të godinave të vjetra të pabanueshme apo dhe terreneve brenda zonave ushtarake, për kultivim kanabisi. Këtë herë, ka një porosi të qartë për të ushtruar kontrolle te vazhdueshme, që raste të ngjashme të mos përsëriten.
Sfidë për blutë mbeten laboratorët me llamba, apo siç njihen si “shtëpitë e barit”. Kontrollet e shtuara nga ajri kanë detyruar kultivuesit që vitet e fundit të nisin kultivim në ambiente të brendshme.
Mbi 191 mijë rrënjë kanabis sativa, u asgjësuan gjatë vitit të kaluar, falë kontrolleve me dronë dhe helikopterë. Vetëm GdF kontrolloi nga ajri gati 50% të të gjithë territorit të vendit, me 185 orë fluturimi./E.P-dritare. Net

















