
Gjermanisë i duhen 100,000 ushtarë. Planifikon rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak
Dritare.net
Gjermania po përgatitet për një hap të madh në politikën e saj të mbrojtjes: rivendosjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Në një kohë tensionesh të rritura gjeopolitike dhe pasigurisë në Evropë, qeveria gjermane synon të forcojë ndjeshëm kapacitetet e ushtrisë.
Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka deklaruar se vendit i nevojiten rreth 100,000 ushtarë të tjerë për të përmbushur objektivat strategjikë dhe për të siguruar mbrojtjen e vendit dhe aleatëve të saj në kuadër të NATO-s. Gjermania aktualisht numëron rreth 180,000 trupa aktive, por ky numër konsiderohet i pamjaftueshëm nëse merren parasysh zhvillimet e fundit në Evropën Lindore dhe qëndrimi gjithnjë e më agresiv i Rusisë.
Pistorius ka bërë të ditur se po shqyrtohet një model i ri shërbimi të detyrueshëm, që nuk do të jetë i njëjtë me versionin e vjetër të ndalur në vitin 2011. Plani parashikon një sistem më fleksibël, ku të rinjtë do të mund të përzgjedhen për një periudhë trajnimi ushtarak, por gjithashtu edhe për shërbim civil.
Vendimi pritet të ngjallë debat të gjërë publik dhe politik, për shkak të ndjeshmërisë që ka shërbimi i detyrueshëm në Gjermani, për shkak të së kaluarës së saj historike.
Megjithatë, qeveria duket e vendosur. “Siguria nuk është më e vetëkuptueshme,” tha Pistorius. “Nëse duam një ushtri funksionale dhe të gatshme për mbrojtje, duhet të marrim masa konkrete tani.”
Ky hap përkon me angazhimin e shtuar të Gjermanisë për të përmbushur detyrimet ndaj NATO-s dhe për të qenë një faktor i fuqishëm në mbrojtjen e kontinentit evropian në një kohë sfidash të mëdha globale./L.F-dritare.net

















