
Roberto Saviano: Pas suksesit, vjen vetmia
Dritare.net
Nga Rudina Xhunga
Roberto Saviano është heroi kombëtar i Italisë, shkruan Umberto Eco. Enzo Biagi pas intervistës me të shkroi “Kam takuar Roberto Savianon. Djalin që jo vetëm denoncoi përbindëshin, por edhe e shpjegoi atë, si askush tjetër, para tij”. Salman Ruzhdi pas kërcënimeve ndaj Savianos u shpreh “Mafia paraqet një problem shumë më serioz se ai me të cilin jam përballur unë. Saviano është në një rrezik të tmerrshëm nga Kamorra”. Ndërsa 6 nobelistë, mes tyre Orhan Pamuk, Gunter Gras, Gorbaciov, Dario Fo, firmosën peticionin “Shpëtoni Savianon”. Në apelin e tyre shkruhej “Nuk mund të tolerohet që çfarë është përshkruar në këtë libër, të ndodhë në Evropën e vitit 2008, siç nuk mund të tolerohet çmimi për të paguar për kë denoncon këto ngjarje duke e detyruar të heqë dorë nga jeta dhe liria e tij”.
Në tetor 2008, Roberto Saviano, botoi një letër në gazetën italiane La Repubblica, një letër që bëri xhiron e botës në pak orë. Ai thotë “Cili është krimi im? Pse duhet të jetoj si të isha lebroz? Unë thjesht dua të tregoj një histori, historinë e popullit tim, të tokës sime, historinë e poshtërimit të tyre. Jam i burgosur i vetes sime, i librit tim, i suksesit tim. Në djall suksesi, unë dua një jetë!! Dua një shtëpi. Dua të bie në dashuri, të pi një birrë në publik. Dua të marr diell, të shëtis në shi, ta takoj nënën time pa frikën se e tremb. Dua të kem afër miqtë e mi, të qesh, të zihem me ta, pa qenë e nevojshme të flitet vetëm për mua, gjithmonë për mua, sikur të jem një i sëmurë për vdekje dhe ata të detyruar të më vizitojnë për mëshirë. Dreqi ta hajë, jam vetëm 29 vjeç”!
Kjo intervistë është realizuar nga gazetarja Rudina Xhunga në dhjetor 2008 në Romë dhe është pjesë e librit “31 Shkrimtarët e Shekullit”. Dritare.net e risjell të plotë për lexuesit e saj.
Dritare.net: “Gomorra” është libri i parë, suksesi i parë. Tani jeni i famshëm, por vetmitar. Nëse do të mundeshit të ktheheshit pas, do ta shkruanit përsëri këtë libër?
Roberto Saviano: Po, do ta shkruaja sepse s’jam penduar kurrë për atë që kam shkruar, por në të njëjtën kohë nuk është një libër që më pëlqen. Nuk e kam shumë për zemër librin tim sepse më futi në këtë situatë. Por do ta rishkruaja. Është një ndjesi pak kontradiktore, por kështu është.
Dritare.net: Unë, kur erdha këtu, pashë policët dhe pata frikë. Po ju, keni frikë?
Jo, nuk kam frikë sepse jam mësuar të jetoj kështu, që prej dy vjetësh dhe kam ndjesinë sikur i mbaj gjërat nën kontroll. Ka çaste vëmendjeje shumë të madhe, ka dhe çaste qetësie. Si në çastet e vëmendjes dhe ato të qetësisë, jetoj i shoqëruar nga shpura, nga pesë karabinierë. Nuk e di pse s’kam pasur kurrë frikë. Veç, kam ndjerë bezdi që jetoj i blinduar.
Dritare.net: As pesë policët nuk patën frikë, pavarësisht kërcënimeve të dhjetorit?
Herën e fundit që u zbulua një plan eliminimi, pati një çast që u ndjemë shumë të vetmuar. Nuk e di nëse kjo ishte frikë.
Dritare.net: Çfarë plani ishte?
Plani u zbulua nga një i penduar, që u përpoq të bënte pakt. Ai i deklaroi policisë se duhej të na hiqte qafe brenda dhjetorit, mua dhe njerëzit e mi.
Dritare.net: Por shoqëruesit nuk u ndryshuan?
Jo, nuk iku asnjë. Një gjest trimërie.
Dritare.net: Kjo do të thotë që njerëzit ju besojnë?
Po, historitë që kam shkruar kanë mbërritur tek shumë njerëz. Rrezikshmëria e vërtetë e librit tim nuk qëndron te fakti që e kam shkruar këtë libër, apo te historitë që kam treguar, por te fakti që libri im është lexuar. Po të kisha shitur 80 mijë kopje, që gjithsesi janë shumë për një libër, s’do të kisha probleme. Kur libri u bë i njohur dhe e lexuan miliona njerëz, u bë një problem i madh. Në atë pikë u shndërrua në një fenomen që përfshiu televizionet, gazetat, medien, kinematografinë, persona, shoqata. Të gjithë dinë gjithçka. Ndërkohë që më parë e dinin vetëm një grup gjykatësish, militantësh. Kjo gjë ngjalli frikë. Ata, prej të cilëve frikësohen vërtet organizatat kriminale, janë lexuesit, pa dyshim.
Dritare.net: Flasim pak për librin “Gomorra”. Është një libër për Kamorran. Çfarë është Kamorra? Ku qëndron ndryshimi mes Kamorrës, Cosa Nostra-s dhe Ndragheta-s?
Sot, dy organizatat më të mëdha kriminale në Evropë, janë pikërisht Ndrangeta në Kalabri dhe Kamorra në Napoli. Cosa Nostra është një organizatë e rrezikshme, por s’është më aq e rrezikshme sa dikur, krahasuar me këto të dyja. Kamorra ka një strukturë horizontale, jo piramidale, si e Cosa Nostra-s. Është një organizatë e bërë për konfederata. Janë familje, gjithsecila autonome, me bizneset e veta, por që bashkohen në federata, në të njëjtin nivel me familjet e tjera. Është organizata më mizore, që ka vrarë më shumë se 4 mijë vetë 30 vitet e fundit. Ka vrarë më shumë se çdo organizatë tjetër terroriste evropiane, më shumë se IRA, ETA, Brigadat e Kuqe, më shumë se terrorizmi islamik në Evropë. Është një organizatë që bën kryesisht biznese në fushën ligjore: çimento, transport, nënkontraktime të çdo lloji. Pastaj, bizneset e paligjshme janë kokaina dhe trafiku i armëve. Është një organizatë që ka lidhje të forta ndërkombëtare. Edhe Ndrangheta ka gjithashtu lidhje të forta ndërkombëtare dhe mbi të gjitha, investon në Evropën perëndimore. Nga hetimet e prokurorisë së Napolit, është zbuluar se Kamorra ka blerë tituj shtetëror në vendet e lindjes, ka investuar në ferma dhe hotele, ka ngritur turizmin në këto vende dhe ka qenë e para që ka investuar në Rumaninë e pas Çausheskut. Një nga bosët e Napolit, Pietro Liçiardi, u arrestua në ish Çekosllovaki. Kjo do të thotë shumë. Do të thotë që organizatat kriminale kanë ekonomi të shtrirë në shumë vende.
Dritare.net: Vetëm në vendet ish komuniste? Apo dhe në Nju Jork, Londër, Paris?
Prania e tyre atje pritet me vështirësi. Nga një hetim i vitit të kaluar, i nisur nga prokuroria në Romë, fliste për një investim të familjes Ruso në rikonstruktimin e Kullave Binjake, në Nju Jork. Londra është një vend më i privilegjuar sepse në Angli nuk ekziston krimi i organizatave mafioze dhe është më e lehtë që të mos kapesh. Librit tim në Angli i është hequr diçka sepse duke qenë se nuk mund ta përcaktoje një qytetar anglez mafioz, ndonëse ai ishte cilësuar si mafioz nga prokuroritë italiane. Në Angli libri im u botua pa emrin e qytetarit anglez mafioz. Të quash mafioz një qytetar anglez është njësoj sikur ta fyesh. Shumë e çuditshme, por kjo ndodh në Evropë.
Dritare.net: Kamorra është shteti, apo antishteti?
Kur flitej për organizatat kriminale, u fol për shumë kohë për antishtetin. Në të vërtetë, ata nuk konsiderohen aspak si antishtet. Në një intervistë bërë një të penduari, Karmine Skiavone, ai ka thënë: “Ne nuk ndihemi aspak antishtet. Përkundrazi, ne jemi shteti”. Sipërmarrës që donin të arrinin objektiva dhe i arrinin ato me çdo kusht. Kjo intervistë më bëri shumë përshtypje, sepse organizatat e sotme mafioze s’kanë asnjë dëshirë të zëvendësojnë shtetin. Duan një organizatë që të paguajë pensionet, të shtrojë rrugët, të rregullojë marrëdhëniet mes individëve dhe ja ku ato janë gati ta bëjnë. Organizatat kriminale e quajnë veten një pjesë e shtetit. Një pjesë e shtetit që në emër të biznesit mund t’i shkelë disa rregulla. Në disa raste mund të vrasë, mund të imponojë një rregull të tregut, me qëllim që të fi tojë ndërmarrja e tij. Asnjë mafioz nuk synon të dëmtojë vendin ku ndodhet. Përkundrazi, mendon se i bën mirë dhe pjesërisht i bën sepse qarkullon shumë para. Problemi është se paratë që qarkullon nuk e zhvillojnë territorin, por pasurojnë dikë. Ky është ndryshimi i madh, por s’mund të flasim për antishtet.
Dritare.net: Atëherë, kush qeveris në Itali, Berluskoni, Kamorra, kush?
Të gjithë bashkë. Kur sheh Italinë, ose disa shtete evropiane, s’duhet menduar që shteti është diçka unike dhe kompakte, që ndjek një drejtim. Shteti përbëhet nga rryma të ndryshme. Shteti italian ka njerëzit e tij me shumë vlerë që punojnë me përkushtim të madh, e në të njëjtën kohë, njerëz të korruptuar, që vijnë direkt nga interesat e organizatave kriminale. Këto shpirtra bashkëjetojnë, shpesh në zona gri dhe jo bardhë e zi. Organizatat kriminale janë më të dukshme në vendet e origjinës, sepse duket e gjithë puna kriminale. Sa më shumë largohesh, aq më shumë zbehet ngjyra dhe aq më e vështirë bëhet për të kuptuar se ku ndodhet kapitali kriminal dhe ku ai ligjor.
Dritare.net: Me kë bashkëpunon Kamorra, përveç shtetit?
Me sipërmarrjet dhe sipërmarrësit, sidomos në Italinë e Veriut dhe në shkallë ndërkombëtare. Në libër unë tregoj për një klan, “La Torre Di Mondragone”, që investon shumë në fushën e gatimit dhe restorantet e tyre ftohen në panairet më të rëndësishëm të kuzhinës në botë. Kjo ndodh me shumë organizata kriminale. Në sheshin e Spanjës, në Romë, ndodhet një restorant që i përket familjes Ndrangeti. Në po të njëjtën rrugë është një diskotekë, që sipas disa prokuroreve, thuhet se i përket organizatave kriminale të zonës sime. Dhe po flasim për kryeqytetin italian.
Dritare.net: Por njerëzit janë ambientuar të thonë që Kamorra s’të bën keq, apo që Kamorra s’ekziston.
Po, janë mësuar. Njerëzit bezdisen kur derdhet shumë gjak, sidomos kur derdhet gjak i pafajshëm, njerëz që s’kanë lidhje. Atëherë ka reagime. Përndryshe, gjithçka është fiziologjike.
Dritare.net: U plagosën 5 djem para disa ditësh.
U qëlluan nga këmbët, si ndëshkim. Edhe kjo është e zakonshme. Në një territor ku është bërë një luftë për të cilën unë po fl as, një luftë shumë e përgjakshme, mes dy grupeve, Di Lauro dhe “të larguarve”. Di Lauro ishte një familje që tregtonte drogë. Faturonte 500 mijë euro në ditë. Një pjesë e tyre u shkëputën dhe u quajtën “të larguarit”. Mes tyre quheshin ‘spanjollë’. Pse quheshin spanjollë? Sepse bënin biznes në Barcelonë. Kjo tregon rëndësinë e këtyre grupeve. Nuk bëhet fjalë për grupe lagjesh, por për organizata serioze, të mëdha, ndërkombëtare.
Dritare.net: Kjo është Kamorra. Po kamorristët çfarë janë? Janë njerëz që lindin të tillë, apo bëhen?
Jo, kamorrist bëhesh. Sigurisht, nëse lind në një realitet të tillë, të shtyn shpesh drejt disa zgjedhjeve të caktuara. Në shumë raste, kjo zgjedhje nuk bëhet nga varfëria. Vendi nga vij unë është shumë i pasur. Asnjë bos nuk është bir i njerëzve të varfër. Janë të gjithë bij pronarësh tokash, blegtorësh, pronarë sipërmarrjesh ndërtimi. Askush nuk është i varfër. Të hysh në një organizatë kriminale është një zgjedhje borgjeze, për t’u bërë një menaxher, njeri me rëndësi. Por edhe mjerimi në disa zona të Napolit të shtyn të hysh në disa organizata kriminale, që të paguajnë 500 euro në javë. Është një pagesë që nuk duket dhe aq e madhe, por një djaloshi 14 vjeçar, i ndryshon jetën. Në një organizatë kriminale futesh për shumë arsye. Një prej tyre, është prestigji personal. Femrat të shohin ndryshe, ndihesh ndryshe. Pastaj vendos për vdekjen dhe jetën e të gjithëve. Edhe pse është një punë e tmerrshme, sepse rri 18 orë duke punuar për ta, fle pak, nuk bën pushim. Nëse nuk paraqitesh në orar, për çdo orë që shkon me vonesë, të heqin paratë. Shpeshherë nuk të paguajnë pushimet, rrogën e 13-të e merr vetëm nëse je i zoti. Nuk është punë e lehtë dhe e rehatshme, por fi ton një vetërregullim. Mbi të gjitha, të jep mundësinë që të rritesh. Nëse punon në një ofiçinë, pas tre vjetësh mund të jesh përsëri aty. Nëse punon për Kamorrën dhe je i zoti, pas tre vjetësh drejton, ke një post me përgjegjësi. Nëse punon për Kamorrën e di që rritesh, kurse nëse punon në ofiçinë e di që mbetesh njësoj. Pastaj ka dhe diçka tjetër. Kur je pjesë e kamorras, vërtetë e di që rritesh, por edhe që vdes. Kjo s’është diçka që nuk e dinë, apo e nënvlerësojnë. Të gjithë kamorristët e dinë që mund të vdesin. Vdekja s’është rrezik i zanatit, por pjesë e tij, diçka që të shtyn të jesh kamorrist. Fakti që do të jetosh pak, por do të bësh jetë të shkëlqyer. Askush nuk mendon t’ia hedhë paq. Në telefonatat që ata bëjnë, flasin pikërisht për këtë: “para se të vdes, dua...”, “kur të vdes, duhet...”. Përdorin gjithmonë këto shprehje. Vdekja është e përhershme në mendimet e tyre, janë të sigurt që do të vriten, sepse kështu funksionon. Vdekja është një prej karakteristikave të një pune të rëndësishme.
Dritare.net: E trajtojnë sikur të ishte një medalje.
Është. Në një letër që një prift më dha dhe që unë e botova në këtë libër, një fëmijë në një burg për të mitur i shkruan priftit duke i thënë: “Unë kur të rritem dua të bëhem bos, dua të kem femra, të kem shtëpi, makina. Dua që kur të hyj në një dyqan, njerëzit të më respektojnë. Respekt do të thotë të t’i japin gjërat falas, gjëra që ua japin vetëm bosëve”. E mbyll letrën duke thënë: “Dua të vdes, por ashtu siç vdes një burrë i vërtetë, me rëndësi. Dua të më vrasin”. Nëse nuk të vrasin, nuk ke asnjë vlerë.
Dritare.net: Ju ishit mes tyre, ishit një 14 vjeçar që jetonte në kryeqytetin e Kamorrës. Si ka mundësi që bëtë zgjedhje të ndryshme nga aq të tjerë?
Mendoj se më ka mbrojtur shumë familja. Jam mbështetur shumë te mamaja ime, kam marrë një edukim borgjez, që më ka mbajtur larg disa zgjedhjeve të caktuara. Por e kam parë dhe e kam ndjerë gjithmonë praninë e tyre dhe gjithmonë më ka tërhequr, nuk e mohoj. Më ka tërhequr pushteti i këtyre personazheve. Në libër nuk mundohem ta mohoj magjepsjen e tyre, por ta zbërthej. Nuk dua të bëj Majkëll Korleonen, të përshkruaj një njeri epik, plot me vuajtje dhe nder. Dua të tregoj magjepsjen e tyre, por dhe anën tjetër, që s’ka asgjë, që është e rreme. Magjepsjen e tyre të rreme. Ata vishen si divat e kinemasë, flasin sikur të kenë para një telekamerë, lëvizin me kujdes. Sigurisht që këtë e kam treguar të gjithën, por kam treguar dhe mënyrën si jetojnë, që për vite të tëra nuk dalin nga shtëpia, ose vetëm në lagjet e tyre të ndyra. Që gjithë paratë që fitojnë nuk dinë as si t’i shpenzojnë. Disa blejnë 200 palë këpucë dhe të gjitha njësoj, sepse e bëjnë porosinë me telefon, e nuk dinë çfarë ju duhet vërtet. Është dhe vetmia e tyre prej njerëzish madhështore. Pastaj vjen burgu, tradhtitë. Jam përpjekur t’i tregoj të gjitha këto për të zbërthyer magjepsjen.
Dritare.net: Dikur ju vendosët të thoni “Po, unë e di dhe do të flas”. Ndodhi brenda një dite, apo gradualisht, marrja e këtij vendimi?
Them se ka qenë një ditë, dita kur vranë sindikalistin Federiko Del Prete, që ishte një njeri i mirë, por që nga agjencitë italiane të shtypit u cilësua si mafioz, vetëm se vdiq në shtëpinë e Casal di Principe. Nëse vdes aty, s’mund të mos jesh kamorrist. Por ai nuk ishte, përkundrazi, ishte një njeri shumë i guximshëm. Aty më lindi mendimi që duhej të bëja diçka. Është një shprehje e bukur e Zhan Pol Sartrit që e cilësonte Flobertin fajtor për regresionin e Komunës së Parisit sepse s’kishte shkruar asnjë rresht që të ndalonte rrëzimin e saj. Më dukej sikur bëja faj nëse s’do të përdorja atë që dija dhe atë që dija të bëja më mirë, pra të shkruaja. Ndoshta më kot, por duhej të shkruaja, të paktën ta provoja. U zemërova shumë dhe nga gjakderdhja në Sekondiliano, pasi pati shumë viktima të pafajshme. U vra Atilio Romano, një djalë që punonte në një dyqan. U vra sepse ky dyqan telefonie ishte pronë e një të afërmi të një bosi mafioz. Armiqtë e këtij të afërmi, hynë në dyqan dhe e qëlluan, jo se donin të vrisnin atë, por që t’i dërgonin një mesazh pronarit të dyqanit. Pastaj vranë Dario Skerilon, në Kazavatore, një djalë i ri. Qe e tmerrshme. Ai ishte me një motor të ngjashëm me personin që duhej eliminuar. I qëllojnë në shpinë, ai rrëzohet, e shikojnë që s’ishte ai dhe nuk i dhanë goditjen përfundimtare, që është diçka mizore. E lanë të vdiste nga humbja e gjakut. Pastaj më tronditi shumë dhe vdekja e Xhelsomina Verdes, një vajzë e fejuar me një “të implikuar”, Xhenaro Noturno. U kap, u torturua dhe u dogj e gjallë. Sepse nuk kishte treguar vendin ku fshihej i fejuari i saj. Këto histori më prekën shumë dhe fillova të shkruaj librin pa u menduar gjatë.
Dritare.net: Leonardo Shasha dikur ka shkruar për Siçilinë dhe ajo ka mbetur po njësoj. Ju besoni se...
Nëse s’ia ka dalë mbanë Shasha, si mund t’ia dal unë? Jo, mendoj se diçka ka ndodhur, një mrekulli që më shumë ka pamjen e një pike në oqean sesa të një furtune. Por ajo pikë është ndërgjegjja e shumë njerëzve. Tani, njerëzit tregojnë kujdes ndaj lajmit për të tilla gjëra. Më parë, lajmet për organizatat kriminale, sidomos Kamorrën, kalonin pa u vënë re, njerëz që vriten mes tyre. Tani janë më të kujdesshëm. Duan të mësojnë, të kuptojnë, të vëzhgojnë, kuptojnë historitë, bizneset. Kjo është e rëndësishme.
Dritare.net: Por ju kanë dënuar. Jeni një i burgosur i Kamorrës.
Në një farë mënyre, po. Por unë jam i burgosur dhe i shumë gjërave të tjera. Nuk është vetëm Kamorra ajo që më do të keqen. Pjesa më e madhe e opinionit publik në krahinën time më urren, më konsiderojnë një kloun, spekulues. Mjafton të shohësh shkrimet nëpër mure kundër meje, por është normale. Më quajnë një njeri që ka spekuluar, ka fyer dhe që s’ka bërë kushedi se çfarë. Prandaj, jam mbyllur në burg dhe nga kjo pjesë e shoqërisë civile, mizore dhe cinike.
Dritare.net: Shoqëri që ka frikë?
Është bashkëpunëtore. Bashkëpunëtore në kuptimin që beson se i gjithë ky është një operacion i madh që ka si synim të sulmojë drejtuesit e atyre vendeve. Është një borgjezi, një klasë drejtuese shpesh meridionale, fatmirësisht jo e gjitha, por një pjesë e madhe e saj, që krim quajnë vetëm njerëz që shtien me armë. Nëse flet për biznese, thua gënjeshtër. Ata nuk duan të flitet për biznes. Mund të flasësh për të vdekur të vrarë, për kaubojë në rrugë, por jo për biznes, se ai s’është në dorën e tyre. Kështu mendojnë njerëzit që kujtojnë se i dinë të gjitha.
Dritare.net: Dikur, duke folur për Falkonen, një italian më tha: “Falkone donte të ndihej protagonist”.
Është diçka klasike. Falkone ka vdekur, ndryshe do të vazhdonin ende ta fyenin. Kushdo që ngrihet në këmbë në jug të Italisë është i urryer dhe i përçmuar, për shumë arsye. Njëra është se në këtë realitet askush nuk ngre kokë. Edhe për një punë të rëndomtë duhet të marrësh rekomandim, apo mbrojtje. Gjithçka që mund të duket një brejtje ndërgjegje, apo një gjest dinjitoz, merret si tradhti, apo palaçollëk. Të gjithë miqtë e mi të dikurshëm më konsiderojnë një palaço dhe asnjeri s’më quan njeri për të qenë. S’më habit ky lloj mosbesimi. Xhovani Falkones i gjetën njëherë një çantë plot me tritol te shkëmbinjtë në vilën ku ishte me pushime. Të gjithë thoshin që e kishte vënë vetë. Ç’mund të presësh!
Dritare.net: Të flasim pak për Shqipërinë. Keni shkruar aq shumë për Shqipërinë, flisnit për mafien shqiptare. Sipas jush është shumë e fuqishme?
Ekziston shumë fuqishëm dhe për mendimin tim është një nga mafiet e panjohura më mizore në botë. Është më pak e njohur se bën më pak gjëra. Organet gjyqësore, policia financiare, karabinierët, antidroga, antimafia kanë shumë dokumente për praninë e mafies shqiptare në Itali. Duhet bërë një dallim i madh mes mafies shqiptare, kosovare, mafies shqiptare të Shqipërisë dhe mafies shqiptare të Maqedonisë.
Dritare.net: Nuk bashkëpunojnë?
Bashkëpunojnë, por s’është e njëjta gjë. Dhe kanë lidhje shumë të forta me organizata kriminale shqiptare në Nju Jork. Mafia shqiptare që njoh më mirë është ajo që kishte lidhje në territorin tim. Klani i Kazalezëve, një klan shumë i fuqishëm, ka qenë klani i parë i një organizate mafioze italiane që i ka hapur dyert një të huaji. Të huajt e parë që kanë hyrë në organizatë, kanë qenë shqiptarët sepse kanë një strukturë sociale dhe familjare shumë të ngjashme me atë italiane. Zbatojnë, në një farë mënyre, Kanunin, që jep shumë siguri sepse rregullat janë të qarta, të shkruara. Të gjithë mund t’i mësojnë dhe t’i respektojnë. Respektohen shumë “kapot e maleve” që zbatojnë me përpikëri Kanunin. Mbi të gjitha, janë organizata që kanë ardhur në vitet ’90. Ka qenë një bos shqiptar që i dhanë një zonë të tërë. Një bos, të cilit Kazalezët i dhanë një territor të tërë. S’kishte ndodhur kurrë në historinë e kriminalitetit italian që një i huaj të drejtonte aktivitetin kriminal të një territori.
Dritare.net: Çfarë ishte ky njeri? Me çfarë merrej?
Me gjithçka. Zhvatje, drogë, por mbi të gjitha çimento. Firmat e ndërtimit që ndërtojnë dhe rikonstruktojnë. Mafia shqiptare në këtë territor jo vetëm është shumë e fuqishme, por para disa muajsh pati dhe të vdekur. Dy shqiptarë të implikuar u vranë sepse s’kishin paguar atë që duhej të paguanin, për përqindjen e trafikut të drogës që drejtonin.
Dritare.net: Është krijuar ideja që mafiozët shqiptarë janë shpërndarës të vegjël droge, etj. S’është kështu?
Mendoj se ka qenë kështu, por sot, mafia shqiptare dhe shpërndarësit shqiptarë të drogës, kanë bërë karrierë. Sot djemtë që shpërndajnë drogë në rrugë janë më shumë afrikanë, nigerianë, rumunë. Të gjitha ato organizata që janë të dobëta. Mafia shqiptare ka familje të fuqishme që lejojnë keqbërësit italianë dhe shqiptarë të jetojnë të qetë në Shqipëri. Shqiptarët që kryejnë krime në Itali dhe jetojnë qetësisht në Shqipëri, në Itali janë kriminelë sepse familjet arrijnë të korruptojnë gjykatësit shqiptarë, të paktën një pjesë të tyre. Mafiozët shqiptarë dhe kamorristët janë e njëjta gjë. Bëjnë dhe martesa mes tyre.
Dritare.net: Martohen me njeri-tjetrin?
Një bos i mafies në Domiciana, në zonën bregdetare, u martua me një shqiptare. Shqiptare nga fshati. Është diçka shumë e papritur sepse bosët e mafies, femrat nga lindja i mbajnë si dashnore, por nuk martohen kurrë me ta sepse martesa është gjithmonë një marrëveshje ekonomike. Sot kjo gjë po ndryshon. Kjo ka qenë e kaluara. Në të shkuarën, femrat nga lindja, polake, rumune, edhe shqiptare, konsideroheshin si dashnore perfekte, që toleroheshin dhe nga gratë. Nëse një bos kishte një dashnore italiane, përbënte problem. Kurse një dashnore nga lindja tolerohej.
Dritare.net: Si ka mundësi që dini kaq shumë gjëra për mafien shqiptare?
I kam parë gjithmonë. Për shembull, bullgarët i kam parë më pak, edhe pse janë një mafie më e pranishme në Itali.
Çfarë bën mafia shqiptare?
Mafia shqiptare ka filluar me prostitucion. Ai ka qenë një nga elementët e parë. Punonin prostitutat shqiptare, por edhe ato sllave. Polaket, rumunet, nga Republika Çeke. Pastaj eci përpara. Nga trafiku i drogës, tani ka kaluar te çimento. Kështu dhe ata u futën në biznesin e madh.
Dritare.net: Kur ka filluar kjo lidhje?
Që në fund të viteve ’80. Në fund të viteve ’80 është parë prania e shqiptarëve në Itali, por ka nisur që në vitet ‘70 me kontrabandën. Shqipëria dhe Mali i Zi janë vende në dorë të organizatave kriminale.
Bëhet fjalë për një periudhë kur në Shqipëri ishte diktaturë.
Po.
Edhe në atë kohë ka pasur mafie?
Po. Sigurisht. Si në Shqipëri, ashtu dhe në Republikën e Ish Jugosllavisë kanë qenë personazhe të blerë nga organizatat kriminale.
Dritare.net: Kush?
Drejtues komunistë që paguheshin nga organizatat kriminale. Firma e parë që investoi në Rumaninë e pas Çausheskut, quhej Albanova Eserel. Albanova është emri i vjetër i Kazal Del Prinçipe, kryeqytetit të Kamorrës. Kjo firmë kishte marrëveshje të bëra para rrëzimit të murit, me të gjithë drejtuesit komunistë, që nuk merrnin më paga nga shteti, por ua jepnin ata. Edhe policia bregdetare shqiptare dhe e Malit të Zi, paguheshin nga Sacra Corona Unita, për kontrabandë cigaresh. Kur u rrëzua komunizmi, të parët që shkelën në këto vende ishin organizatat kriminale, që më pas ndihmuan dhe sipërmarrësit e ndershëm të huaj të shkonin aty. Nëse një napolitan ose milanez shkon në Shqipëri të investojë, ka një mijë probleme me burokracinë. Nëse shkon nëpërmjet organizatës kriminale italiane, gjithçka është e zgjidhur. Ata dinë me kë të flasin për të marrë autorizime, rroga të qeta. Kjo është magjia e organizatave kriminale, që funksionojnë si motor ekonomik.
Dritare.net: Kuptoj çfarë bëjnë shqiptarët në Itali. Po mafiozët e Kamorrës, çfarë bëjnë në Shqipëri?
Investojnë në çfarëdolloj ndërmarrjeje. Për shembull, në metalurgji, në ndërtimin e makinave, që nuk janë më në Itali, rroba, këpucë dhe investojnë në hoteleri. Në ish vendet komuniste nuk ka traditë të turizmit, ka humbur. Ata vijnë dhe bëjnë turizëm E shoh me kureshtje të madhe mafien shqiptare sepse ka një ëndërr të madhe tek mafiozët e mëdhenj shqiptarë. Ta bëjnë Kosovën, Kolumbinë e re të Evropës. Të mbjellin kokainë transgjenike, që të rritet në temperatura të ndryshme nga ato të Amerikës së Jugut. Të mbjellin kokainën transgjenike në Kosovë dhe të lejojnë mafien shqiptare të ketë monopolin e kokainës. Sot nuk mund të bëhet sepse kokaina transgjenike, që tashmë ekziston në Kosovë, është shumë e kushtueshme. Prandaj nuk ka leverdi. Është më e leverdishme ta importosh nga Amerika e Jugut se ta prodhosh. Por pas njëzet vjetësh, Kosova do të jetë padyshim Kolumbia e re.
Dritare.net: Do të jetë vërtetë?
Të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë mendojnë se do të ndodhë kështu.
Dritare.net: Po politikanët çfarë bëjnë ndërkohë? A kanë nevojë politikanët për mafien? Apo është mafia ajo që ka nevojë për politikën?
Unë mendoj se është politika ajo që ka nevojë për mafien. Në të shkuarën nuk ka qenë kështu, kurse sot është.
Dritare.net: Pse?
Sepse organizatat mafioze janë sipërmarrje. Është njësoj sikur një vend të hiqte dorë nga BMV-ja, Microsofti. Faturimi në Itali i tre mafieve, sipas Prokurorisë Kombëtare Antimafia, është 100 miliard euro në vit. Sipërmarrja më e madhe italiane. Si mund të heqësh dorë nga një shifër e tillë?
Dritare.net: Ata janë të armatosur. Ju keni vetëm fjalët. Por ata kanë frikë nga ju. Mund të kihet frikë nga fjalët?
Vetëm nëse dëgjohen. Unë ekzistoj për sa kohë më dëgjojnë. Kur të reshtin së më dëgjuari, nuk do të ekzistoj më./dritare.net

















