
Reuters: Zbulohet në Shqipëri një varr monumental romak, i pari i këtij lloji në vend
Dritare.net
Reuters
Arkeologët shqiptarë kanë zbuluar një dhomë të madhe varrimi romake që daton nga shekujt III-IV pas Krishtit, një gjetje unike për Shqipërinë, e cila dikur bënte pjesë në Perandorinë Romake.
Zbulimi u bë falë sinjalizimit të banorëve lokalë pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, të cilët kishin vënë re gurë të pazakontë mbi një pllajë. Ekipi i Institutit të Arkeologjisë nisi gërmimet në fillim të gushtit dhe zbuloi strukturën nëntokësore, e ndërtuar me pllaka të mëdha gëlqerore të gdhendura me mbishkrime në gjuhën greke.
Sipas arkeologut drejtues të projektit, Erikson Nikolli, mbishkrimi tregon se personi i varrosur quhej Gelliano, një emër tipik i periudhës romake. “Nuk jemi të sigurt për identitetin e individit të dytë, por me shumë gjasa bëhet fjalë për një anëtar të familjes,” – tha ai.
Varri, me përmasa 9 metra me 6 metra, është i pari i këtij lloji që zbulohet në Shqipëri dhe besohet se i përkiste një personi të pasur, duke qenë më i madhërishëm se çdo varrezë tjetër e gjetur më parë në zonë.
Autoritetet lokale, në një kohë kur turizmi në vend është në rritje të ndjeshme, kanë nisur planet për ta kthyer këtë sit në një atraksion turistik. Lajmi i zbulimit ka bërë që shumë banorë të zonës të shkojnë për ta parë nga afër.
Gjatë gërmimeve, ekipi i Nikollit zbuloi detaje të rafinuara të gurëve të bardhë të çatisë dhe mureve të varrit, të punuar me gdhendje të hollësishme. “Zbuluam gjithashtu një copë pëlhure të qëndisur me fije ari, gjë që përforcon bindjen se kemi të bëjmë me një njeri të shtresës së lartë,” – shtoi Nikolli.
Ndër gjetjet e tjera u evidentuan pjata qelqi dhe thika, dëshmi të pasurisë dhe statusit të të ndjerit. Megjithatë, varri kishte rënë pre e grabitjes të paktën dy herë – një herë në lashtësi dhe më pas në kohë më të vona, kur një gur gjigant mbi dhomë ishte zhvendosur me makineri të rënda.
Sipas ekspertëve, emri i Gellianos është i gdhendur me shkronja greke, por ka kuptim latin, ndërsa një mbishkrim tjetër tregon se varri ishte kushtuar perëndisë Jupiter.
Arkeologët ende nuk kanë deshifruar plotësisht mbishkrime të tjera të gjetura mbi gurë në afërsi, të cilët besohet se i përkisnin një monumenti tjetër të lashtë, sot i rrethuar nga arat me misër dhe një gurore.
Ky zbulim i shtohet hartës së pasur arkeologjike të Shqipërisë, duke hedhur dritë mbi periudhën romake dhe duke krijuar një perspektivë të re për historinë dhe turizmin kulturor të rajonit./L.F-dritare.net

















