Reagon AKSK: Ndërprerja globale e Cloudflare u shkaktua nga një defekt i brendshëm
Dritare.net

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka reaguar pas ndërprerjes së gjerë që goditi këtë të martë platformën ndërkombëtare “Cloudflare”. Sipas autoritetit, problemi ishte rezultat i një defekti të brendshëm në sistemet e kompanisë, i cili solli mosfunksionim të disa shërbimeve të rëndësishme digjitale.
Në njoftimin e tij, AKSK u bën thirrje të gjithë përdoruesve dhe institucioneve që mbështeten te Cloudflare të rrisin monitorimin e vazhdueshëm të shërbimeve të tyre dhe të kontrollojnë nëse ndërprerja ka shkaktuar pasoja në funksionimin e aplikacioneve apo faqeve që administrojnë.
Sipas raportimit zyrtar të Cloudflare, incidenti ndodhi më 18 nëntor 2025, rreth orës 12:48, dhe preku rrjetin global të Edge, API-të dhe komponentë të tjerë kritikë të infrastrukturës së kompanisë. Problemet u reflektuan edhe në Shqipëri, ku disa institucione dhe sektorë patën vështirësi të aksesojnë shërbimet online.
Rreth orës 15:42, Cloudflare njoftoi se situata ishte drejt stabilizimit dhe se ekipet teknike po punonin për rikthimin e plotë të funksionimit.
AKSK rekomandon që subjektet të verifikojnë shërbimet e prekura, të sigurojnë mekanizma rezervë për funksione bazike dhe të jenë të përgatitur për skenarë të ngjashëm në të ardhmen. Autoriteti thekson se mbetet i angazhuar në mbrojtjen e infrastrukturave kritike të informacionit dhe në informimin në kohë të publikut për çdo rrezik të mundshëm./dritare.net