Rama takon Mitsotakis: Drejt një marrëveshjeje të re strategjike mes Shqipërisë dhe Greqisë!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një mesazh nga takimi në Athinë me homologun grek, Kyriakos Mitsotakis, duke theksuar raportin e afërt mes tyre dhe ambicien për të çuar përpara marrëdhëniet mes dy vendeve.
Në postimin e tij në Facebook, Rama shprehet se me Mitsotakis i lidh një “miqësi e posaçme”, e ndërtuar mbi synimin e përbashkët për modernizimin e Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe për ngritjen e marrëdhënieve dypalëshe në një nivel të ri.
Kreu i qeverisë shqiptare thekson se gjatë kësaj rruge bashkëpunimi nuk kanë munguar as momentet e vështira, por komunikimi ka qenë gjithmonë i hapur, i drejtpërdrejtë dhe me respekt të ndërsjellë.
Dy vendet po punojnë për të zgjidhur përfundimisht çështjet e mbartura ndër vite, me synimin që brenda këtij viti të arrihet një marrëveshje e re për partneritet strategjik mes Shqipërisë dhe Greqisë.
"Athinë - Me kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, na lidh një miqësi e posaçme e farkëtuar në rrugën e përbashkët të ambicies për të modernizuar vendet tona dhe për t’i ngritur marrëdhëniet shqiptaro-greke në një nivel të ri. Përgjatë kësaj rruge jo vetëm momentet më të mira, po edhe ato më të vështirat janë karakterizuar gjithnjë nga komunikimi plot respekt e pa dorashka, ndërkohë që po punojmë për kapërcimin përfundimtar të të gjitha çështjeve të mbartura mes dy shteteve, për të dalë nga ky vit me një marrëveshje të re partneriteti strategjik"-shkruan Rama/dritare.net