
Rama: S'ka më depozita uji. Do t'i heqim gradualisht!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama njoftoi nisjen e fazës së dytë të reformës në sektorin e ujit me krijimin e Operatorit Kombëtar, që do të menaxhojë të gjithë procesin nga prodhimi tek shpërndarja dhe furnizimi, njësoj si në sektorin e energjisë.
“Uji është mall jetik. Nga prodhimi natyror, ai kthehet në mall që shpërndahet dhe blihet, prandaj kërkon operim kombëtar,” tha Rama, duke shtuar se deri tani janë futur në rrjet 100 mijë përdorues të rinj dhe janë prerë një numër i madh lidhjesh të paligjshme.
Kreu i qeverisë theksoi se abuzimet nuk lidhen me qytetarët, por me përdorues që e shfrytëzojnë për fitime – si lavazhe në lagje, derdhje të ujit në rrugët kombëtare dhe lidhje të paligjshme nëntokë – të cilat do të jenë në qendër të një plani masash.
Një nga vendimet kryesore të reformës është edhe heqja graduale e depozitave të ujit nga pallatet, të cilat Rama i cilësoi si “pesa të jashtëzakonshme mbi ndërtesa të vjetra” dhe një rrezik serioz që mund të kthehet në burim katastrofash. “Kjo është koha për të nisur planin e heqjes së depozitave, hap pas hapi, duke shpjeguar qytetarëve përfitimet dhe duke garantuar furnizim të qëndrueshëm direkt në rubinete,” tha ai.
Sipas Ramës, këto masa synojnë të garantojnë furnizim të drejtë për qytetarët që paguajnë dhe nuk abuzojnë, duke e kthyer sektorin e ujit në një shërbim efikas dhe të besueshëm./L.F-dritare.net

















