Rama replikon me gazetarët për çështjen Balluku: Nuk jemi këtu për këtë
Dritare.net

Ka pasur replika mes kryeministrit Edi Rama dhe gazetarëve lidhur me çështjen e zv/kryeministres Belinda Balluku. Teksa ndodhej në Pallatin e Brigadave, ku priste komisioneren auropiane Marta Kos Rama u pyet nga gazetarët nëse do ta shkarkonte zv/kryeministren Belinda Balluku.
Kryeministri kërkoi respektim të protokollit dhe momentit.
“Kaq të vështirë e keni të respektoni kohën. Këtu jemi për të parë dhe ndjekur ardhjen e miqve sot, në një ditë kaq të rëndësishme për këtë vend. Më pas mund t’i bëni të gjitha pyetjet. Kjo ‘hapni vendin, se do të hidhem’, nuk shkon,” u shpreh Rama.
Reagimi i kryeministrit vjen një ditë pas vendimit të GJKKO-së, e cila vendosi masë “pezullim nga detyra” dhe “bllokim të pasaportës” për Belinda Ballukun, duke ia ndaluar daljen jashtë vendit. Ajo akuzohet për shkelje të barazisë në tendera.
Deri më tani, Rama nuk ka dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë nëse do të ketë shkarkim nga detyra./L.F-dritare.net