Rama: Prokurorët dhe gjykatësit po ndërhyjnë në kompetencat e qeverisë
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj vendimit për pezullimin e zv/kryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës Belinda Ballukut nga detyra, duke e cilësuar atë si një precedent të rrezikshëm dhe një shkelje të rëndë të balancës mes pushteteve. Sipas Ramës, pezullimi i një ministri përbën një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në kompetencat kushtetuese të Kryeministrit dhe në përbërjen e qeverisë.
Në një deklaratë të gjatë, Rama theksoi se, ndryshe nga çdo funksionar tjetër publik, ministri ka një autoritet ekskluziv dhe të padelegueshëm, ndaj pezullimi i tij shkakton bllokim të zinxhirit vendimmarrës në sektorët që mbulon dikasteri përkatës.
“Pezullimi i ministrit është absurd si koncept, sepse bllokon krejt procesin e vendimmarrjes. Askush tjetër nuk mund të firmosë në emër të tij”, u shpreh Kryeministri, duke theksuar se janë bllokuar një sërë vendimesh qeveritare, përfshirë edhe një marrëveshje të rëndësishme me Kanadanë për hapjen e fluturimeve ajrore.
Rama njoftoi se për këtë arsye i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, jo për arsye politike, por për të mbrojtur rendin kushtetues dhe funksionimin normal të qeverisë.
“Unë nuk flas teorikisht, por për cënimin konkret të balancës së pushteteve dhe ndërhyrjen brutale në kompetencat që Kushtetuta ia jep Kryeministrit”, tha Rama.
Sipas tij, largimi i ministres në këtë fazë nuk do ta zgjidhte problemin, por përkundrazi do të hapte një precedent të rrezikshëm për çdo qeveri të ardhshme, duke krijuar mundësinë që anëtarë të kabinetit të hiqen nga detyra vetëm me një masë sigurie gjyqësore, pa vendim të formës së prerë.
“Ky është një precedent që nesër mund të kthehet në një ‘ujk’ për qeveritë dhe që do të përbuzte votën e qytetarëve”, theksoi Kryeministri.
Ai e përfundoi reagimin duke theksuar se kjo është një betejë institucionale dhe jo personale, e cila nuk ka lidhje me emrin konkret të ministres, por me mbrojtjen e funksionimit normal të shtetit dhe demokracisë./L.F-dritare.net