Rama për opozitën: Na gjëmojnë nga pas, korrupsioni më i ulëti në histori
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së mbajtur në Asamblenë e Partisë Socialiste të Shqipërisë në Lezhë, ka reaguar ndaj akuzave të opozitës për korrupsion, duke i cilësuar ato si përpjekje për të baltosur punën e qeverisë. Rama theksoi se Shqipëria ndodhet në nivelin më të ulët historik të korrupsionit dhe se qeveria që ai drejton, sipas tij, ka zhvilluar luftën më të fortë ndaj këtij fenomeni.
“Të gjithë ata që na gjëmojnë nga mbrapa dhe që krijojnë një zhurmë shumë të madhe ‘korrupsioni, korrupsioni, korrupsioni’... Tani unë nuk them që e kemi shfarosur korrupsionin, por mund të them se kurrë Shqipëria nuk e ka luftuar korrupsionin si tani dhe se korrupsioni është më i ulët se kurrë më parë. Si mund të ketë rritje të korrupsionit dhe të pagave e pensioneve në të njëjtën kohë. Nuk ndodh kjo. Sepse pagat dhe pensionet rriten kur rriten të ardhurat në buxhetin e shtetit. Si mund të ketë rritje të korrupsionit dhe ndërkohë të rritet numri i përfituesve nga garat publike. Janë të gjitha gjëra që nuk lidhen me njëra-tjetrën”, tha mes të tjerash Rama.
Rama tha gjithashtu se në kohën kur PD ishte në pushtet, njerëzit rrinin në radhë për të paguar dritat apo për të marrë një certifikatë. Kryeministri shtoi se PS sot ka një mundësi të artë për anëtarësimin e vendit në BE. Nëse nuk ndodh, Rama tha se historia s’ka për t’ua falur kurrë.
“Ashtu sikundër njeriu është i ndërtuar në një mënyrë të atillë që të keqen e harron shpejt dhe të mirën e do edhe më shumë. Por nëse e kthejmë kokën pas, kujtohemi se për të paguar dritat, taksat dhe për një certifikatë lindje duhet të mbaje radhë. Atëherë si qenka rritur korrupsioni? Na është dhënë mundësia që me duart tona ta marrim Shqipërinë dhe ta çojmë te dhoma e pritjes së BE-së, për ta bërë anëtare të barabartë të asaj familje. Historia s’ka për ta harruar nëse ne e realizojmë dhe s’ka për të na e falur nëse ne nuk e realizojmë”, vijoi më tej Rama.