Rama nga QSUT: Buxheti i shëndetësisë 2026 rritet me 50 mln euro, mbulim i plotë për barnat onkologjike
Dritare.net

Gjatë vizitës në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Kryeministri Edi Rama deklaroi se buxheti i shëndetësisë për vitin 2026 do të jetë mbi 50 milionë euro më i lartë krahasuar me vitin 2025. Sipas tij, një vëmendje e veçantë i është kushtuar barnave për pacientët me sëmundje onkologjike, ku janë parashikuar 15 milionë euro shtesë, ndërsa në mesin e vitit do të shtohen edhe 15 milionë euro të tjera. “Qëllimi është të kemi një rimbursim domethënës të barnave onkologjike në shërbimin parësor dhe të sigurojmë mbulimin me barna në të gjithë sistemin shëndetësor”, u shpreh Rama.
Kryeministri bëri të ditur se përmes këtij buxheti parashikohet rimbursimi i barnave për rreth 400 mijë pacientë në rang kombëtar. “Në buxhet kemi vendosur një kapacitet të rëndësishëm për të mbështetur drejtpërdrejt pacientët dhe për të garantuar akses më të mirë në trajtimin shëndetësor”, tha ai.
Një tjetër element kyç i paketës së re financiare është rritja e pagave për mjekët, infermierët dhe teknikët e shëndetësisë. Rama theksoi se paga mesatare do të rritet me rreth 135 euro në muaj, ndërsa për herë të parë do të aplikohet edhe njohja e vjetërsisë në punë. “Do të vazhdojmë të rrisim pagat për mjekët dhe infermierët dhe do të bëjmë edhe vjetërsinë në punë, si një shtesë e drejtë për përkushtimin e tyre”, u shpreh Kryeministri.
Në fjalën e tij, Rama nënvizoi gjithashtu vijimin e investimeve në dixhitalizim dhe inteligjencë artificiale në proceset e trajtimit të pacientëve. Sipas tij, këto investime synojnë ndërtimin e një rrjeti kombëtar të onkologjisë dhe ngritjen e Institutit Kombëtar të Tumoreve, duke e shtrirë trajtimin më afër pacientëve dhe duke reduktuar nevojën për udhëtime drejt Tiranës.
Kryeministri u ndal edhe te puna e përditshme e personelit shëndetësor, duke theksuar se çdo vit në QSUT realizohen rreth 95 mijë ndërhyrje mjekësore të suksesshme, të cilat shpesh mbeten jashtë vëmendjes mediatike. “E mira nuk bën lajm, ndërsa një rast negativ mjafton për të errësuar perceptimin për të gjithë sistemin”, tha Rama, duke e cilësuar skandalin e ndodhur një vit më parë në Onkologjik si “një njollë që u pagua nga i gjithë sistemi”.
Në vijim, Rama foli edhe për transformimin e infrastrukturës së QSUT-së, ku po zhvillohen disa projekte madhore. Mes tyre, ndërtimi i një parkimi multifunksional me 1 400 vende, i cili do të lehtësojë qarkullimin dhe do të gjenerojë të ardhura për QSUT-në dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Sipas Kryeministrit, rreth 80 mijë metra katrorë të territorit të QSUT-së do të kthehen në park urban, duke ndarë hapësirat e automjeteve nga ato të këmbësorëve dhe shërbimeve./K.C/dritare.net