
Rama nga Gjirokastra: Minjtë i kapim ne! Pas 2030, ndoshta lulëzon ndonjë emër nga kundërshtarët
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama pati sot një takim në Gjirokastër me mbështetësit e tij. Gjatë fjalës së tij kryeministri Rama foli për integrimin e Shqipërisë në BE. Rama u shpreh se edhe këtë herë shqiptarët duhet që t’i besojnë PS-së e pas integrimit, sipas tij, mund të ketë shpresa që të lulëzojë ndonjë emër tjetër nga partitë kundërshtare.
“Unë jam me shprehjen që nuk ka rëndësi ngjyra e maces, por mjafton të kapë minjtë, dhe minjtë i kapim ne, jemi aq të zotët sa kapim jo vetëm minjtë e komshinjve por dhe minjtë tanë. Sot kjo është e vetmja zgjidhje dhe zgjedhje PS! Pasi të hyjmë në BE, pastaj ka kohë, do jetë tharë dhe këneta edhe me ndihmë të Zotit do lulëzojë ndonjë gjë dhe në krahët e tjerë se deri tani është vetëm ferra, britma zogjsh kënete. Gjë tjetër nuk shoh, mbase ju shihni, por unë nuk shoh. Dje pashë një bretkosë të vogël që thoshte ja si do ndryshojë tavolina juaj në 12 maj, ishte një tavolinë bosh që më pas mbushej me ushqim, muhabet bretkose domethënë. Siç tha se shoku Tërmet (Peçi), zgjedhja për çdo deputet është e lirë, ama kalon njëherë nga shenja e numrit 5, e më pas zgjedh kandidatë sipas dëshirës”, tha Rama./K.C/dritare.net

















