Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Sot premiera e filmit të restauruar Ngadhnjim mbi vdekjen!

Sot premiera e filmit të restauruar Ngadhnjim mbi vdekjen!

Sot, më 25 Mars, do të shfaqet premierë “Ngadhënjim mbi vdekjen”, filmi ikonë i kinematografisë shqiptare, i cili është restauruar 58 vite pas realizimit. Kryeministri Edi Rama, në një postim në Facebook, thotë se versioni i restauruar rikthen shkëlqimin e plotë të imazhit dhe zërit duke rivlerësuar punën e ekipit që e realizoi në atë kohë.

“58 vite pas realizimit, vjen i restauruar në 4K, një nga filmat më ikonikë të kinematografisë shqiptare, "Ngadhnjim mbi vdekjen" (1967) me regji të Gëzim Erebara dhe Piro Milkani. Ky version i restauruar në 4K rikthen shkëlqimin e plotë të imazhit dhe zërit duke rivlerësuar punën regjisoriale të Erebarës dhe Milkanit, kamerën e mrekullueshme të Saim Kokonës, lojën e aktorëve dhe muzikën drithëruese të Feim Ibrahimit”, shkruan kryeministri Rama.

Filmi, prodhim i vitit 1967, është vepër e dy regjisorëve, Gëzim Erebara dhe Piro Milkani dhe skenaristit Peçi Dado. Ngjarjet e filmit “Ngadhnjim mbi vdekjen” zhvillohen në Shqipërinë e periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Vendi është nën pushtimin nazist.

Gjermanët kapin dy vajza të reja dhe i torturojnë ato për të zbuluar lidhjet me lëvizjen komuniste. Në fund ata i ekzekutojnë duke i varur në litar në mes të qytetit për të trembur dhe terrorizuar popullin.

Filmi është i bazuar në ngjarjen reale të dy heroinave Bule Naipi dhe Persefoni Kokëdhima, të interpretuara nga Eglantina Kume dhe Edi Luarasi, ndërsa personazhi i oficerit gjerman, u interpretua nga i madhi Naim Frashëri. /E.P-dritare.net