Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

U vra nga babai i saj/ Familjarët nuk tërheqin trupin e pajetë të palestinezes. E reja mund të varroset në Tiranë!

U vra nga babai i saj/ Familjarët nuk tërheqin trupin e pajetë

Rayyan Alwan, 24-vjeçarja palestineze e cila u vra nga babai i saj në një shtëpi me qira në Tiranë, mund të varroset në Shqipëri. Mësohet se asnjë nga të afërmit e saj nuk kanë kërkuar për të tërhequr trupin e pajetë pavarësisht se ata janë informuar nga oficerët e kontaktit.

Aktualisht viktima mbahet në morgun e Tiranës dhe nëse brenda afateve ligjore nuk merret nga familjarët, ajo do të varroset në kryeqytet.

Autor i dyshuar i vrasjes mendohet të jetë babai i saj, Fadi Alwan, me të cilin mbërriti në aeroportin e Rinasit më datë 19 Shkurt dhe u vra tre ditë më pas.

Trupi i pajetë i të resë u gjet nga pronarja e banesës disa ditë pas ngjarjes. Fillimisht u raportua se bashkëshorti kishte vrarë gruan, por hetimet zbuluan se Rayyan Alwan u vra nga babai i saj.

Fadi Alëan është aktualisht një nga personat më të kërkuar për vrasje dhe policia vazhdon kërkimet.

Hetuesit po përpiqen të kuptojnë se çfarë i solli të dy në Tiranë, edhe pse dyshimet janë se babai kishte organizuar planin për ta vrarë të bijën në një vend të huaj, në një banesë ku nuk kishin deklaruar identitetet dhe ku nuk la asnjë gjurmë.

Palestinezët që mendohet se ishin në procedura azilkërkuesish në Gjermani, hynë në Shqipëri me pasaporta të rregullta greke. Por në biletat e tyre të udhëtimit është gjetur një numër identifikimi dokumentesh kosovare për të dy, ndaj Policia e Tiranës po kërkon te autoritetet në Prishtinë nëse palestinezët kishin apo jo mjete identifikimi nga Kosova.

Në një pamje të fundit të tyre kur sapo mbërritën në aeroportin e Rinasit, nuk duket ndonjë sjellje që vajza të jetë sjellë me forcë, kështu që paqartësitë shtohen edhe më shumë nëse babai kishte krijuar ndonjë histori të rreme sa për ta sjellë vajzën.

Babai, i cili u largua 3 ditë pasi vrau me thikë në bark të bijën, ende pa u zbuluar trupi nga pronarja e shtëpisë me qira, iku drejt Athinës me avion, më tej në Amsterdam, ndërsa së fundi policia mendon se është fshehur në Liban, por deri tani nuk është kapur./E.P-dritare.net