
Nëpërmjet z.Bardhyl Reso, i cili jeton në SHBA, DritareTV, hyri live në një qendër ditore të moshuarish shqiptare në Worcester, Massachusetts. Quhet Qendra Shqiponja, shtëpia ku mblidhen shumë të moshuar shqiptarë, për 6 orë në ditë dhe kalojnë bashkë kohë të çmuar.
Drejtuesja e kësaj qendre, zonja Pavlina Tollkuçi tregoi për gazetaren Rudina Xhunga se arsyeja se përse e hapi këtë qendër ishin prindërit e saj, të cilët kur shkuan në Amerikë mërziteshin shumë dhe pavarësisht se nuk u mungonte asgjë, nuk dukeshin të kënaqur që kishin lënë Shqipërinë.
“Të gjithë më pyesin si lindi kjo ide. Unë kam ardhur në Amerikë në 1994-ën dhe 5 vjet më vonë solla prindërit. Një nga arsyet se përse e hapa qendrën ishin prindërit e mi, që t’i shihja të lumtur. Atyre u mungonte shumë ana sociale këtu dhe nuk u bënte përshtypje asgjë tjetër, sepse rrinin në shtëpi gjithë ditën vetëm.
Kështu gjeta një qendër të huaj, ku mblidheshin të moshuarit dhe i regjistrova aty për disa vite. Duke i pare sa mire ndiheshin, vendosa të ndërtoja një gjë vetë, vetëm për shqiptarët, brezin e prindërve tanë që punuan dhe luftuan gjithë jetën. E tani në emigrim, ndihen vetëm. Kështu hapa Qendrën Shqiponja, ku mblidhen kaq shumë të moshuar shqiptarë, që ndihen të lumtur me njëri-tjetrin.”, tregon zonja Pavlina në DritareTV.
Menaxherja e Qendrës Shqiponja, Helena Caci tregon se çfarë aktivitetesh bëjnë të moshuarit në këtë qendër dhe se si regjistrohen ata.
“Kjo qendër është kryesisht për shqiptarët. Por e hapur dhe për kombësi të tjera. Ne jemi në Worcester, Massachusetts. Shqiponja është qendra e vetme e tille, që është hapur këtu. Kjo qendër për moshën e tretë, 65+. Qendra jonë përfshin 6 orë program. Ne si qendër sigurojmë transportin dhe i marrim të moshuarit që në 8-të të mëngjesi dhe ata qëndrojnë në qendrën tonë deri në orën 14.30. Ne mundohemi t’ua bëjmë ditë të bukur me aktivitete.
Çdo gjë në qendër është shqiptare, që nga ushqimet. Vetë të moshuarit kërkojnë gatime vetëm shqiptare. Edhe vetë ata gatuajnë një herë në muaj këtu në qendër, duke përgatitur specialitetet e qyteteve të Shqipërisë nga vijnë. Unë kam punuar në një qendër tjetër më parë, por erdha te qendra e shqiptarëve që kur u hap sepse ky vend më jep lumturi, sepse po punoj mes shqiptarësh, flasim shqip, hamë ushqime tradicionale shqiptare, bëjmë aktivitete shqiptare.
Fëmijët e të moshuarve janë shumë të lumtur që prindërit tyre po e kalojnë një pjesë të ditës në qendrën tonë, në 4-6 ditë të javës. Pjesëmarrja e tyre në qendër mbulohet nga sigurimet. Është nëpërmjet sigurimit të shëndetit, që përcaktohet sa ditë do qëndrojë në qendër personi. Pra ata nuk paguajnë direkt vetë.
Por ka edhe persona që paguajnë privatisht, por përgjithësisht i paguan sigurimi i tyre i shëndetit, që na tregon edhe arsyen sepse një i moshuar po vjen në qendrën tonë. Një nga arsyet është se u mungon Shqipëria. Në qendrën tonë ata gjejnë Shqipërinë.”, tregon zonja Caci në DritareTV./K.C/dritare.net

















