
Rama: Është koha për të menduar seriozisht rikthimin!
Dritare.net
Në puntatën e radhës të podkastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama bashkëbisedoi me tre sipërmarrës, të cilët janë kthyer nga jashtë për të investuar në Shqipëri.
Skenografi Aleksandër Çifligu rrëfeu kur u largua në Greqi dhe se si u bë pjesë e ‘botës’ televizive që atje. Në vitin 2011 vendosi që të kthehej në Shqipëri, për të vazhduar punën në Tiranë. Kur u kthye në Shqipëri, ai thotë se gjeti një Shqipëri ‘burrërore’ nga ajo fëminore që kishte lënë kur ishte larguar.
“Gjuhën e mësova shpejt më pas vazhdova shkollën gjimnazin e natës sepse ai vit më ndihmoi qe të futesha direkt në punë, në punishtet e asaj lagjeje me tela dhe ambazhura. Por fati desh që shumë shpejt të kanalizohem në një studio televizive. Shumë shpejt kuptova që ishte puna dhe zanati që kisha pasion. Mosha shumë e vogël 14 vjeç e gjysmë kur futeshin ata çunat në studio, me butaforitë skenike, seriale, filmat kinematogafikë, më dukej sikur po shikoja ende Herkulin. Ishte edhe gabimi i parë që bëra sepse nuk është i vetmi. Janë shumë. Por që më dukej e rëndë 14 vjeç, dhe vajta e preka dhe ndërkohë që ranë të gjitha kollonat dhe më duhej t’i riparoja. Aty filloi një dashuri përsa i përket skenografisë. Deri në 2011 që vendosa të lëviz, i ngopur, të lëviz me shumë projekte. Mu gjendën njerëz në fushën artisitike që më orientuan drejt skenografisë. Athina ishte magji në atë periudhë se kishim kaluar Lojërat Olimpike, Eurovisioni për fushën time ishte një gjë e jashtëzakonshme. Filmat që vinin që mu dha mundësia për të marrë pjesë.”, u shpreh Aleksandri.
Besniku tregoi se emigroi në Greqi në ’97-ën. Qëndroi atje për disa vite, ku krijoi kompani në fushën e ndërtimit. Por siç tha ai, betoni e lodhi shumë shpejt, dhe me një vendim të shpejtë, shiti kompanitë dhe u kthye në vendlindje në Divjakë, ku edhe filloi të merrej me bimët medicinale.
”Si shumë bashkëatdhetarë të mi emigrova në ’94 në Greqi. Punova pak muaj në bujqësi dhe rastësisht rashë në një pikë ndërtimi, ku fillova të punoja dhe pata edhe përkrahje. Shumë shpejt, krijova kompaninë e parë në ndërtim. Filluam të punonim me dinjitet dhe korrektësi, patëm përkrahje edhe nga bashkëatdhetarët dhe vendasit. Krijoja kompaninë e dytë, dhe në 2003 kompaninë e tretë. Betoni më lodhi shpejt dhe po mendoja të kthehesha aty ku kisha lindur. Mora vendim të shpejtë, brenda dy muajsh mbyll kompanitë dhe bëra shitje dhe u ktheva në Shqipëri. U nxitova për ta lindur djalin në Shqipëri. Kur u ktheva po merresha me atë çfarë kisha bëra para se të ikja, prindërit merreshim me bujqësi, kultivonin bimë medicinale. E pashë si mundësi, dhe pashë potenciale të lartë. Mu desh të merresha me organizimin. Nisa të bëja grupimin e parë të fermerëve në zonë, u certifikuam me standartet.”, u shpreh Besniku.
Ndërkohë Lola që vjen nga një zonë e thellë e Shqipërisë, tregoi se për shumë vite prindërit e saj kanë jetuar jashtë vendit për t’ju siguruar fëmijëve një jetë më të mirë. Ajo thotë se kur ka shkuar në Greqi, në moshën 13-vjeçare, ka parë për herë të parë Evropën. Bashkë me mamin e saj, nisën të merrenin me pushime artizanale, por pasi biznesi lulëzoi, për shkak të problemeve shëndetësore të së ëmës, u largua sërish jashtë.
“Duke parë se mami nuk kishte mundësi. Gjatë kohës që ishte vetëm duke ndjenjur, filkoi me bërë punime dore me u qetësuar, me larguar mendjen prej dhimbjeve. Me ato më lindi ideja që t’i heshim në rrjete sociale. Përveç çentrove, fillova të bëj edhe çanta. Kështu me pak sakrificë, punova. Hapëm një dyqan në pedonalen e Shkodrës, një dyqan artizan, dhe filluan të mbledhim gra prej zonave të ndryshme.”, tha ajo.
Pasi u njoh me bashkëshortin e saj, u largua drejt Gjermanisë, por u kthye më vonë. Ajo tashmë është kthyer, kësaj here nga Malta, dhe synon të merret me turizëm në veri.
“Kur shkova në Theth u mahnita. I thashë bashkëshortit që kur të kemi fëmijë do t'i rrisim këtu. Ideja është se nuk duam të bëjmë ndonjë luks dhe të ndryshojmë diçka. Nuk ka nevojë për xhakuzi për të treguar mikpritjen dhe traditën. “, tha ajo./E.P-dritare.net

















