
Rama me bizneset në Lezhë: Trashëguam një turizëm të prapambetur e problematik
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama takoi sot në Lezhë përfaqësues të bizneseve. Gjatë fjalës së tij Rama tregoi nismat e qeverisë për të lehtësuar shërbimet e bizneseve. Ka zbritur në qarkun e Lezhës, pas turit elektoral ditën e djeshme në qarkun e Dibrës.
“Më vjen mirë që jemi bashkë. Ndihem shumë mirë që shoh këtë copëz bregdeti që nuk e kisha parë më parë, por edhe për atë që tha kryetari i bashkisë, që veçanërisht vitet e fundit po shohim shumë projekte ambicioze që po na vijnë nga vende të ndryshme për këtë zonë në zyrën e bashkisë dhe që po i shqyrtojmë, iniciativa për njerëzit e kësaj zone. Modeli i turizmit ishte ai që trashëguam, i prapambetur dhe problematik, të cilin e sheh kur shkon në Shëngjin dhe dallon kontrastin se çfarë është bërë në të shkuarën dhe çfarë la pas dhe tani sheh modelin ku po punohet, edhe me arkitektë europianë dhe deri te japonezë. Vlera e bregdetit, territoreve dhe që do sjelli turizmi i lezhës në ekonominë kombëtare do jetë ku e ku më e lartë sesa sot.
Prioritet për ne është cilësia dhe jo sasia, edhe pse arritëm në 11 mln euristë vjet. Ta mbajmë sasinë, por ta shoqërojmë edhe me cilësi, që të krijojmë hapësira për turistët që konsumojnë më shumë dhe në këtë bregdet janë mundësitë për t’i zhvilluar që të dyja”, tha kryeministri mes të tjerash në fjalën e tij./K.C/dritare.net

















