Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Rama: Gati të përballem me fakte për korrupsionin, jo me llafe

Rama: Gati të përballem me fakte për korrupsionin, jo me llafe

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim në Berat me sipërmarrës të përpunimit të vajit të ullirit, ku diskutoi për rritjen e pagave në bujqësi, investimet, lehtësimin e taksave dhe skemat mbështetëse për këtë sektor, me synimin për të rritur standardin e prodhimit dhe për ta bërë atë të tregtueshëm në tregun e Bashkimi Evropian.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal edhe te debati publik për korrupsionin, duke theksuar se shpesh e vërteta deformohet nga thashethemet. “E vërteta bëhet copash dhe gëlojnë lloj-lloj thashethemesh, shpeshherë të thuash të vërtetën duket si sfidë. Një miku im po më thoshte: ki pak kujdes se dukesh arrogant kur thua se Shqipëria ka më pak korrupsion. Unë jam i gatshëm të përballem me këdo për sa kohë jemi në fushën e fakteve, kur futemi në fushën e llafeve, aty është më vështirë”, u shpreh ai.

Kryeministri vlerësoi gjithashtu transformimin e Beratit, duke theksuar se qyteti është kthyer në një model zhvillimi, ku gjithnjë e më shumë qytetarë po rikthehen për të investuar dhe punuar. Sipas tij, mundësitë për të shfrytëzuar pronat, turizmin dhe bujqësinë kanë krijuar kushte që qytetarët të fitojnë më shumë sesa jashtë vendit.

“Që Berati ka bërë një transformim të madh nuk e tregon fakti që u bë ministër, por një fakt tjetër: Berati është një territor që ka më shumë të kthyer sesa njerëz që ikin jashtë. Pse kthehen njerëzit? Sepse Berati të gjithëve u ofron mundësinë që, me punë, të vënë në shfrytëzim qoftë shtëpinë e vjetër në kala, qoftë tokën në fshat dhe të fitojnë më shumë sesa për të tjerët jashtë shtetit”, tha Rama.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit mes prodhuesve të vajit të ullirit, duke i nxitur ata të bashkohen për të rritur fuqinë në treg. Sipas tij, fragmentimi në shitje dobëson prodhuesit dhe ul fitimet.

“Kur vjen puna në shitje, sa më shumë të rrini bashkë, aq më shumë do çoni fitime në shtëpi. Nëse keni 70 e ca dyqane, ku secili shet vajin e vet, jeni më të dobët në shitje. I keni kostot më të larta për të shkuar te blerësi dhe nuk keni kapacitet të negocioni çmime. Ata mund t’jua marrin për një copë bukë”, u shpreh Rama./K.C/dritare.net