Emigrantët kthehen në Shqipëri për Pashkë! Fluks në Kapshticë
Dritare.net

Fluksi i lëvizjeve në pikën kufitare të Kapshticës mbetet i lartë në prag të festës së Pashkës, ndërsa qindra emigrantë po kthehen në Shqipëri për të kaluar festat pranë familjeve të tyre.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 24 orëve të fundit përmes kësaj pike kufitare kanë hyrë në territorin shqiptar 7,475 shtetas, ndërsa kanë dalë 2,741, duke treguar një rritje të ndjeshme të hyrjeve krahasuar me daljet.
Fluksi më i madh është regjistruar në orët e paradites, ku është vënë re edhe shtim i numrit të automjeteve. Megjithatë, situata paraqitet e menaxhueshme dhe pa probleme të theksuara.
Autoritetet kufitare kanë shtuar sportelet në funksion dhe po punojnë me kapacitete të plota për të përballuar fluksin, me synim shmangien e pritjeve të gjata dhe lehtësimin e procedurave për qytetarët. Pritet që lëvizjet të vijojnë edhe në ditët në vijim, pasi afrimi i Pashkës Ortodokse tradicionalisht shoqërohet me rritje të hyrje-daljeve, veçanërisht në pikat kufitare të juglindjes së vendit./dritare.net