Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Përshkrim i shkurtër

Përshkrim i shkurtër

Nga Rexhep Qosja

Përshkrim i shkurtër

Marrë nga romani i sapobotuar, "Të fshehtat e treguara"!*

A mund të ma përktheni frëngjisht një përshkrim të shkurtër, Bardh?
Si ta përkthej kur s’e di për çka është?
Nuk e di a ka farë rëndësie, por më është kërkuar prej një gazetari të huaj.
Shumica e gazetarëve të huaj s’kërkojnë të vërteta po befasi, Kaçkin!
Kaçkin Lushi.
Dëgjoje njëherë, të lutem.
Lexoje pasi je aq këmbëngulës.
Dje, në katundin Xh u krye ndërtimi i ujësjellësit.
Deri dje banorët e këtij fshati e merrnin ujin prej puseve
që gjysmën e parë të vitit kishin e gjysmën tjetër nuk kishin fare ujë. I thante vera dhe s’i përtërinte vjeshta. Dhe e pinin atë ujë pa e ditur ishte për t’u pirë apo vetëm për të larë duart, këmbët, teshat dhe oborret me të.
Dje, qyteza H i plotësoi kushtet administrative për t’u quajtur qytet, që më parë kjo e drejtë, ky dinjitet nuk i ishte pranuar prej atyre që i caktojnë të drejtat dhe dinjitetet e njerëzve, të fshatrave, të qytezave, të qyteteve, të shteteve, të ndërtimeve, të përparimeve dhe të prapangeljeve.
Dje, në qytezën E u gjet një varr i madh, i thellë, i gjatë, i gjerë, dhe në atë varr u gjet një si arkivol prej një lënde që arkeologët që e zbuluan nuk mundën të thonë se çfarë ishte ajo lëndë, si quhej dikur e si quhet sot ajo lëndë. Dhe në atë arkivol u gjetën tri kafka, gjashtë duar, gjashtë këmbë dhe gjashtë krahë. U tha menjëherë prej atyre arkeologëve se dy nga ato kafka janë të dy meshkujve, kurse e treta është kafkë gruaje.
Si ndodhi që ashtu, bashkë, në një arkë, në një arkivol, në një varr të varrosen dy meshkuj e një grua? Dhe nuk u tha se në cilën kohë kishte ndodhur kjo varrosje, prandaj mbeti fshehtësi, mister, nëse ndodhi në kohën para Krishtit, në kohën e Krishtit, në kohën e Muhamedit, në kohën e Sulltan Sylejmanit, në kohën e Skënderbeut, apo, më në fund, në kohën e Musolinit. Kureshtja për t’u mësuar historia tepër përshtypjebërëse e këtij varri me tri kufoma - dy meshkuj e një grua mbetet e pashuar. Sa do të pritet për plotësimin e saj nuk mund të dihet dhe nuk mund të thuhet.
Para zbulimit të këtij varri në qytetin E, në fshatin, më falni, në qytezën H, afër kryeqytetit, u zbuluan disa varre, si u dëgjua, tridhjetë e nëntë varre, shumë më të vjetra sesa ai varri misterioz i zbuluar në qytezën E, të cilit, falë tyre, iu dhurua dinjiteti i qytetit. Varret në fjalë ishin të rrethuara me një mur të ulët, më saktësisht të thuhet me disa gurë me madhësi të barabartë, të përpunuar, të latuar me duart e një mjeshtri pa shumë mjeshtëri dhe të ngjitur njëri me tjetrin, nuk mund të dihej se me çfarë lënde.
Në varre, mes eshtrave, do të gjenden qafore, unaza, do farë rrathësh të metaltë, që mund të ishin përdorur si byzylykë grashapo, si u tha, mos edhe për diçka tjetër, ndoshta për të lidhur trupa, gjësende a kush e di se çka!
Në tri varre u gjetën tri maska, që nuk dihej se të kujt ishin: të ndonjërit prej të varrosurve më shumë të çmuar derisa ishte gjallë. Mund të ishin, e tha arkeologu i vjetër,
Xhaferi, Xhafer Shakja, të ndonjërit prej atyre me të cilin këta të varrosurit më parë do të kishin pasur farë konflikti më të madh, ndoshta farë lufte fisnore!
Supozohet se varret u takojnë dardanëve që jetonin në Dardani, si po e quajnë Kosovën e lashtë arkeologët tani të orientimit romantik - folklorik ose të pararrënjësve ilirë, të atyre prej të cilëve kanë dalë mandej grekët, ilirët dhe nuk më kujtohet tani kush tjetër. Domethënë prej pellazgëve.
Përpos këtyre stolive, në tri varret u gjetën edhe para të metalta, të metalta natyrisht, por nuk u tha se prej çfarë metali ishin të bëra: prej hekurit, prej plumbit, prej bakrit a prej argjendit.
Kur të mësohet më shumë për këto monedha do të mësohet më shumë edhe për kohën kur janë bërë e rrethuar ato varre dhe kush mund të jenë të varrosurit - dardanë apo të farë fisi tjetër ilir ose joilir.
Çudia më e madhe, më e pashpjegueshme, por edhe më domethënëse e këtyre kërkimeve arkeologjike, tha arkeologu më i moshuar, Kolë Kalaja, ishte zbulimi i trembëdhjetë varreve, të radhitura gjashtë në njërën anë, në anën lindore, gjashtë në anën tjetër, në anën perëndimore, kurse një, ndoshta, më i madhi, në mes të tyre.
Çudia që shkaktuan këto trembëdhjetë varre nuk qëndron në radhitjen e tyre gjithsesi misterioze, po në vetë varret, në trajtën dhe në thellësinë e tyre. Ato nuk ishin varre të quajtura rrafshore (horizontale), po varre pingulore (vertikale). Gjashtë varret e vendosura në anën lindore dhe gjashtë varret e vendosura në anën e tyre perëndimore ishin po të një gjatësie, të një gjerësie dhe të një thellësie, kurse vetëm varri i trembëdhjetë, i vendosur në mes të tyre, ishte më i thelli, por jo edhe më i madhi e më i gjeri.
Këto trembëdhjetë varre shkaktuan shumë diskutime shkencore, arkeologjike, antropologjike, por, çuditërisht, edhe politike.
Shumë fotografi, vizatime dhe piktura të tyre u shpërndanë shpejt në të gjitha anët e vendit dhe në mediet.
Numri më i madh i arkeologëve thanë, pothuaj, njëzëshëm, se varrosja e tillë, pingulore (vertikale) e të vdekurve nuk është kurrfarë befasie qoftë as këtu ku ishte bërë ajo varrosje. Shumë popuj, sidomos, në Azi e në Afrikë e, mandej, nën ndikimin e tyre edhe në Europë i varrosnin ashtu të vdekurit - në mënyrë pingulore (vertikale).
Varrosjen e tillë, siç e shpjeguan kolegët e mi, tha arkeologu plak, nuk duhet ta përgjithësojmë. Dhe, nuk duhet ta përgjithësojmë për arsye se të gjithë popujt që merreshin me një varrosje të tillë, nuk i varrosnin për të njëjtin qëllim ashtu anëtarët e familjeve të tyre.
Ata i varrosnin pingulshëm të vdekurit e tyre për t’u lënë porosi të veçantë të gjallëve. Për këtë arsye, në fund të fjalës së tij, kishte thënë Kolë Kalaja: unë propozoj që një pikturë e një varri të tillë, e varrit që gjendej mes dymbëdhjetë të tjerëve, gjashtëve në anën lindore e gjashtëve në anën perëndimore, të vendoset në Kuvendin tonë popullor.
E pse, u hallakat një dëgjues që kishte zënë vend në rendin e parë të dëgjuesve të shpjegimeve.
Sepse, u përgjigj i qetë arkeologu plak, Kolë Kalaja, prej asaj pikture, si prej arteve në përgjithësi, gjithmonë e gjithkund, do të mësojnë çka duhet të mësojnë të gjallët.
Ashtu, pingulshëm do të varrosim ty, shtoi edhe më hallakatshëm ai zëri i padurueshëm.
E ti, ia ktheu arkeologu, njësoj i qetë si më parë, do të duhej të varroseshe rrafshueshëm.

Nuk do ta varrosim ne, jo! Ai do ta varrosë vetveten, u përgjigj një dëgjues, që kishte zënë vend diku në rreshtin e fundit.
Rrafshueshëm domethënë harrueshëm, e mbylli mbledhjen arkeologu Kolë Kalaja.
Pse dëshiron të përkthehet ky shkrim, Kaçkin, ky shkrim interesant për zbulime interesante arkeologjike.
E para, për t’u treguar të huajve se ne i kemi trajtuar gratë të barabarta me meshkuj, prandaj, i kemi varrosur bashkë me meshkuj në një arkivol, kur ata i trajtonin robëresha dhe i blinin e i shisnin.
Dhe, e dyta, për t’u treguar po të huajve se ne duam të jetojmë pingulshëm (vertikalisht) siç jetonin dhe varroseshin të parët tanë. Dardanët.
Mit romantik folklorik, Kaçkin.
Le të jetë mit i tillë, por a po ma përktheni?
Të mërkurën do ta keni gati. Sot është e premte.
Aq i shkurtër e aq kohë iu duhet për përkthim?
Kam edhe një shkrim tjetër për përkthim.
Si do ta varrosim Havanë?
Rrafshueshëm, do të thonë Anila e Liku.
Po mua?
Pingulshëm, do të thonë Anila e Liku.
Jo. Jo. Dua të jam i varrosur afër Havasë, por të dy të
jemi të varrosur njësoj. Si? Pyetën ata.
Si të dëshirojë Havaja./

*Pjesa e shkëputur nga romani “Të fshehtat e Treguara”, shtëpia botuese Toena!/dritare.net