Përballja me Anglinë, Sylvinho: Ekipi shumë i fortë
Dritare.net

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka komentuar performancën e sulmuesit Elbasan Broja dhe pritshmëritë për ndeshjen e ardhshme kundër Anglisë. Ai theksoi se ndonjëherë lojtarët mund të mos kenë performancë maksimale, por skuadra mbetet prioriteti kryesor.
“Jam shumë i lumtur. Që në fillim, kur nuk njihja gjuhën dhe kulturën, ndihesha si në shtëpi. Kemi bërë një punë të mirë dhe jam krenar për gjithë lojtarët e mi. Besoj se nesër do të bëjmë mirë”, tha Sylvinho.
Më tej, ai vlerësoi Brojën për disa paraqitje të mira, duke përmendur veçanërisht ndeshjen me Serbinë. “Disa lojtarë ekuilibrojnë skuadrën. Nuk fokusohemi vetëm te një lojtar, por te i gjithë ekipi. Ai është një nga lojtarët tanë. Nëse dikush tjetër mund të mbulojë një pozicion të caktuar, do ta provojmë. Uzuni, për shembull, mund të luajë në të djathtë. Mund të mos kesh një ndeshje të mirë dhe dikush tjetër të luajë.”
Trajneri foli edhe për Anglinë, duke theksuar forcën e skuadrës dhe cilësitë e trajnerit të tyre. “Anglia nuk pëson gola sepse është shumë e fortë dhe ka një trajner të madh. Ata janë një nga ekipet favorite për të fituar Botërorin. Në 90 minuta shumë gjëra mund të ndodhin në futboll.”
Ai gjithashtu bëri me dije se Broja u mërzit kur u zëvendësua, por situata u zgjidh shpejt. Sylvinho foli edhe për menaxhimin e kartonëve dhe për stërvitjen përgatitore para ndeshjes, duke shtuar se do të marrë vendimet përfundimtare pas seancës stërvitore.
“Kur isha më i ri nuk e mendoja të bëhesha trajner. Tani duhet të mendoj për 11 lojtarë dhe jo vetëm për veten. Të luash futboll është një ndjenjë shumë e bukur,” përfundoi ai./L.F-dritare.net