Trump sfidon kundërshtarët: Clinton, Hoffman, Summers dinë gjithçka për Epstein
Dritare.net

Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar Demokratët se po rikthejnë në qendër të debatit çështjen Epstein me qëllim që të largojnë vëmendjen nga, siç thotë ai, dështimet e tyre politike.
Trump shprehu zhgënjimin e tij për veprimet e Demokratëve, të cilët, pavarësisht publikimit të rreth 50 mijë dokumenteve nga Departamenti i Drejtësisë, vazhdojnë të ngrenë çështjen Epstein për të mbuluar gabimet dhe politikat e tyre të dështuara.
Ai kritikoi gjithashtu disa anëtarë të Partisë Republikane, duke i quajtur “të dobët” dhe “budallenj” që, sipas tij, i nënshtrohen presionit të Demokratëve.
Trump theksoi se Jeffrey Epstein kishte lidhje të forta me figurat e rëndësishme të kampit Demokrat, duke argumentuar se për këtë arsye çështja është “problemi i tyre, jo i Republikanëve”.
Në deklaratën e tij, ai përmendi emra si Bill Clinton, Reid Hoffman dhe Larry Summers, për të cilët tha se “dinë gjithçka” rreth Epstein-it.
“Pyeteni Bill Clintonin, Reid Hoffmanin dhe Larry Summers për Epstein-in. Ata i dinë të gjitha. Mos humbni kohë me mua, kam një vend për të qeverisur”, shkroi Trump në postimin e tij./K.C/dritare.net