PE: Zgjerimi i BE-së forcon sigurinë, Shqipëria dhe Mali i Zi me objektiva ambicioze
Dritare.net

Në një raport të publikuar të mërkurën, eurodeputetët theksuan se zgjerimi i Bashkimit Evropian është kyç për forcimin e sigurisë dhe parandalimin e krijimit të “zonave gri” destabilizuese në rajon.
Sipas dokumentit, Mali i Zi dhe Shqipëria kanë vendosur objektiva ambicioze për përfundimin e negociatave deri në fund të viteve 2026 dhe 2027, përkatësisht. Eurodeputetët bëjnë thirrje që Bashkimi Evropian të inkurajojë këto vende, duke e lidhur progresin me reforma konkrete dhe heqjen e çdo pengese burokratike.
Raporti thekson se moszgjerimi i BE-së do të kishte kosto më të lartë për stabilitetin rajonal dhe se progresi duhet të mbetet i bazuar në meritë, në vlera dhe i kushtëzuar nga reformat e nevojshme.
Eurodeputetët nënvizuan gjithashtu rëndësinë e përdorimit të votimit me shumicë të kualifikuar në fusha kyçe për procesin e anëtarësimit, si dhe forcimin e monitorimit të reformave nën “grupkapitullin e bazamentit”. Për më tepër, raporti kërkon mbështetje më të madhe për aktorët pro-BE të shoqërisë civile, të përkushtuar ndaj vlerave dhe reformave evropiane.
Dokumenti u miratua me 385 vota pro, 147 kundër dhe 98 abstenime, duke reflektuar një konsensus të gjerë mbi nevojën për të mbajtur standardet e Bashkimit Evropian në procesin e zgjerimit./K.C/dritare.net