Na ndiqni edhe në

Emisionet

Eksperti i sigurisë: Pse bunkerët janë e vetmja mbrojtje strategjike për Shqipërinë!

Eksperti i sigurisë: Pse bunkerët janë e vetmja mbrojtje

Ekziston një paradoks i thellë në infrastrukturën e mbrojtjes së shtetit shqiptar: asetet më të sigurta për mbrojtjen e popullatës civile i përkasin një periudhe të largët dhe të errët të monizmit, ndërkohë që pajisjet e sotme moderne rezultojnë inekzistente. Në një intervistë për emisionin Intervista e Ditës në DritareTV, eksperti i sigurisë Memush habili ngjalli kujtesën historike të mbrojtjes civile shqiptare për të ilustruar një krahasim dramatik me indiferencën e sotme shtetërore. Ndërsa theksoi edhe një herë se Shqipëria nuk gjendet aktualisht nën asnjë rrezik ushtarak nga Republika Islamike e Iranit, ai shpalosi sekrete befasuese teknike lidhur me bunkerët e periudhës komuniste.

Ndërkohë që opinionin publik shpesh i paragjykon bunkerët si relike absurde të paranojës së Enver Hoxhës, ekspertiza inxhinierike prapa tyre zbulon një histori tjetër. Këto fortifikata betoni nuk ishin thjesht mure të trasha; ato ishin llogaritur matematikisht për të përballuar fundin e botës. Habili tregoi se gjatë viteve të kaluara, bunkerët ishin testuar në kushte ekstreme duke u vënë nën zjarrin masiv të artilerisë shqiptare. Më tronditëse është fakti se eksperimentet kishin përfshirë futjen e kafshëve të gjalla, si qen, dele, dhi dhe brenda këtyre strukturave për të provuar rezistencën ndaj presionit zanor, shkatërrimit fizik dhe valëve goditëse. Rezultati tregoi se ato janë dizajnuar me standardet më të larta inxhinierike të kohës.

Habili shkoi edhe më tej, duke konfirmuar se dizajni thelbësor i tyre u konceptua për të mbrojtur kundër armëve të shkatërrimit në masë. Një bombë atomike si ajo që asgjësoi mbi 100,000 jetë në Hiroshima bazohet në katër faktorë kryesorë shkatërrues, ku më i rrezikshmi është vala goditëse me presion të lartë. Sipas llogaritjeve ushtarake të kohës, një bunker i ndërtuar shqiptar, i cili gjendej në një distancë minimale prej vetëm një kilometri nga epiqendra (pika zero) e një shpërthimi bërthamor, do të mbetej i paprekur dhe funksional. Vetëm nëse bomba do të binte direkt mbi kapakun e betonit, atëherë ai mund të konsiderohej i shkatërruar. Ndaj raketave konvencionale, si ato që përdor Irani sot në luftimet e Lindjes së Mesme, bunkerët konsiderohen praktikisht të pathyeshëm.

Fatkeqësisht, trashëgimia e këtij niveli përgatitjeje është zëvendësuar me papërgjegjshmëri. Eksperti shprehu keqardhjen e thellë për shkatërrimin dhe braktisjen e këtyre rrjeteve si dhe braktisjen e plotë të edukimit të mbrojtjes civile. Në rastin e një konflikti emergjent pranë kufijve tanë, Habili thotë se popullsia, nuk ka asnjë udhëzim themelor se si të reagojë, ku të strehohet dhe si të mbrojë veten. Institucionet e sotme, sipas tij, operojnë me mendësinë se fakti i të qenit nën ombrellën e sigurisë së NATO-s i zhvesh ata nga përgjegjësia kombëtare për edukimin dhe mbrojtjen civile. Kjo përgatitje shpirtërore e profesionale është hapi më minimal që një shtet sovran dhe i përgjegjshëm detyrohet t'u ofrojë qytetarëve të tij përpara se lufta t'u vijë në pragun e shtëpisë./dritare.net