PE zbardh 305 amendamente për Shqipërinë: Mbështetje për SPAK, jo dhunës në protesta
Dritare.net

Raporti për Shqipërinë, që pritet të diskutohet në Parlamentin Europian, do të kalojë në shqyrtim përmes 305 amendamenteve të paraqitura nga eurodeputetët, ku në fokus janë reforma në drejtësi, mbështetja për SPAK-un, zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, si edhe tensionet politike në vend.
Një nga amendamentet më të rëndësishme është paraqitur nga kryetari i delegacionit të Parlamentit Europian, David McAllister, në pjesën që lidhet me reformën në drejtësi. Në tekst vlerësohet vijimi i zbatimit të reformës, përfshirë procesin e vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili konsiderohet se ka ndikuar në rritjen e llogaridhënies dhe integritetit në sistemin gjyqësor. Megjithatë, në amendament theksohet se mbeten ende sfida të rëndësishme që lidhen me efikasitetin e gjyqësorit, stokun e çështjeve, qëndrueshmërinë e praktikës gjyqësore dhe përpjekjet për ushtrim ndikimi të padrejtë. Po ashtu, mirëpritet puna e institucioneve të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë SPAK-un, ndërsa kërkohet garantimi i pavarësisë, burimeve të mjaftueshme dhe kapaciteteve operacionale për këto struktura.
Në një tjetër amendament, eurodeputetët Andreas Schieder, Adnan Dibrani/ dhe Marco Tarquinio shprehin shqetësim për polarizimin e vazhdueshëm politik dhe diskursin konfrontues në Shqipëri, duke nënvizuar se kjo klimë dëmton mbikëqyrjen parlamentare, besimin e publikut dhe funksionimin e institucioneve demokratike. Në amendamentin 84 ata rikujtojnë se protestat e dhunshme nuk kanë vend në një demokraci funksionale.
Pjesë e amendamenteve është bërë edhe çështja e kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku. Në amendamentin 111, të paraqitur nga Ivaylo Valchev, shprehet shqetësimi për korrupsionin në nivele të larta dhe kërkohet që Kuvendi të trajtojë pa vonesë heqjen e imunitetit të Ballukut. Megjithatë, nga përmbajtja e amendamentit kuptohet se ai është hartuar përpara vendimit të Kuvendit për të rrëzuar kërkesën e SPAK.
Nga ana tjetër, Partia Popullore Europiane ka dorëzuar 26 amendamente në raportin për vitin 2025 për Shqipërinë, duke ngritur shqetësime të forta për zgjedhjet, drejtësinë dhe qeverisjen. Eurodeputeti Andrey Kovatchev dhe grupi i PPE denoncojnë mangësi serioze sistemike në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, duke përmendur përdorimin e gjerë të burimeve publike nga mazhoranca, mungesën e kushteve të barabarta për opozitën dhe pretendimet për blerje votash.
Sipas amendamenteve të PPE, mungesa e ndarjes së qartë mes institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake dëmton konkurrencën politike dhe ul besimin e qytetarëve te procesi zgjedhor. Për këtë arsye, kërkohet një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, që të garantojë akses të barabartë në media, mbrojtje ndaj keqpërdorimit të burimeve administrative dhe zbatim efektiv të ligjit.
Në raport ngrihen shqetësime edhe për gjendjen e gjyqësorit, ku përmenden mbingarkesa me çështje të pazgjidhura dhe përpjekje për ndikim të padrejtë. Eurodeputetët nënvizojnë nevojën për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe forcimin e mëtejshëm të pavarësisë së sistemit të drejtësisë. Korrupsioni në nivelet e larta mbetet një nga shqetësimet kryesore, ndërsa SPAK konsiderohet si një institucion që duhet të fuqizohet më tej për të ndërtuar një bilanc të qartë hetimesh dhe dënimesh.
Kritika në raport adresohen edhe ndaj qeverisë për nivelin e lartë të informalitetit ekonomik dhe mungesën e efikasitetit në administratë, elementë që sipas eurodeputetëve pengojnë klimën e biznesit dhe konkurrencën. Në fokus vendoset edhe AKSHI, për të cilën kërkohet më shumë transparencë dhe kontroll mbi prokurimet publike dhe infrastrukturën digjitale, përmes auditimeve të pavarura dhe mekanizmave më të fortë mbikëqyrës.
Po ashtu, raporti evidenton përkeqësimin e lirisë së medias, centralizimin e pronësisë dhe presionin ekonomik ndaj gazetarëve.
Në përfundim, amendamentet e paraqitura në Parlamentin Europian, veçanërisht ato të grupit PPE, i bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare të ndërmarrin masa të menjëhershme për reformë zgjedhore, depolitizim të administratës, luftë më të fortë kundër korrupsionit dhe rritje të transparencës në prokurimet publike. Sipas eurodeputetëve, pa këto ndërhyrje, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian mbetet e rrezikuar./L.F-dritare.net