Pas pezullimit, Balluku dhe dy vartësit e saj sot para GJKKO!
Dritare.net

Belinda Balluku do të paraqitet sot, në orën 09:00, në GJKKO për verifikimin e masës së sigurisë pasi u mor e pandehur me akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Ndaj saj, gjykata vendosi ndalim daljeje jashtë vendit si dhe pezullim nga detyra e zëvendës kryeministres dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në arrest shtëpie u lanë dy vartësit e saj, kreu i ARRSH-së, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, aktualisht drejtor i KESH-it.
Balluku u pezullua nga detyra pasi u mor e pandehur për tenderin më vlerë 190 milionë euro për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, akuzë që i është komunikuar zyrtarisht, dhe dyshohet edhe për tenderin 20 milionë euro të lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës. Për të dy tenderët, me vlerë 210 milionë euro, sipas SPAK, Balluku ka paracaktuar fituesin përmes mbikëqyrjes dhe ndërhyrjes gjatë gjithë procesit të zhvillimit të garës.
Çështja për Ballukun ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese, ndërsa asaj i është hequr e drejta e firmës nga qeveria. Kryeministri Edi Rama, në deklaratën e tij të parë publike për këtë çështje, theksoi se do ta respektonin vendimin, por do ta çonin në Kushtetuese pasi ishte cenuar pushteti ekzekutiv. Ai theksoi gjithashtu se vendi do të qëndrojë pa zëvendës kryeministër dhe se nuk do ta shkarkojë Ballukun pas vendimit të pezullimit.
Në vijim, Këshilli i Ministrave depozitoi zyrtarisht ankimimin në gjykatë duke kërkuar pezullimin e masës për pezullimin nga detyra të Ballkut si dhe interpretim nëse GJKKO mund të pezullojë nga detyra një anëtar qeverie. Por gjykata thotë se ajo nuk është pezulluar si deputete.
Në vendimin e gjyqtarit Erjon Çela, arsyetohej se Balluku nuk mund të qendronte më në detyrë për shkak se ka rrezik të përsërisë krimin për të cilin është marrë e pandehur, pasi po hetohet edhe për tendera të tjerë, dhe mund të prishë apo asgjesojë provat. Po ashtu, edhe për masën e ndalimit jashtë vendit, gjyqtari argumentonte se ka rrezik për largim, duke e mbështetur këtë në faktin se vepra për të cilën akuzohet parashikon dënim nga 1 deri në 5 vite burg.
Shkeljet me dy tenderat
Shkeljet u zbuluan nga komunikimet e Ballukut me vartësin Evis Berberi, atëherë drejtor i ARRSH-së. Sipas SPAK, Balluku ka ndjekur dhe orientuar dy procedurat tenderuese, të tunelit të Llogarasë dhe të lotit të 4 të Unazës së Madhe, me vlerë 210 milionë euro. Për tenderin e Llogarasë, me fond limit 190 mln euro pa TVSH, Balluku n ë bashk ëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, paracaktoi fitues kompanitë turke Intekar dhe Asl, me vlerën 170 mln euro pa TVSH. Tenderi ishte anuluar më 2021, kur oferta më e ulët ishte 140 mln euro nga kompania Gjoka, por u rihap dhe iu dha turqve me vlerë më të lartë. E njëjta skemë është ndjekur edhe për tenderin e lotit të katërt të Unazës së Madhe me vlerë 20 mln euro, ku u shpall fitues bashkimi i kompanive “Euroteorema Peqin” – “Pe-Vla-Ku” – “Nova Construction 2012” me ofertën 19.9 mln euro pa TVSH, vetëm 5% nën fondin limit, ndërsa 3 ofertat më të ulëta ishin skualifikuar.