Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Ndërron jetë në moshën 91-vjeçare mbretëresha e këngës italiane, Ornella Vanoni!

Ndërron jetë në moshën 91-vjeçare mbretëresha e

Ikona e muzikës italiane, Ornella Vanoni, ka ndërruar jetë të premten më 21 nëntor 2025, në moshën 91-vjeçare, në banesën e saj në Milano.

Një lamtumirë e papritur, edhe pse ajo shpesh bënte shaka me idenë e vdekjes. Kështu u nda nga jeta një nga zërat më të bukur të muzikës italiane, Ornella Vanoni. “Unë jam një grua e lirë. Nuk e kam lënë kurrë veten të lidhet nga asgjë apo nga askush. Dhe për gjithçka kam paguar me interes,” kishte thënë ajo më 22 shtator, ditën e 91-vjetorit të saj.

Vetëm dy javë më parë, ajo kishte bërë shaka me Fabio Fazion për dhurimin e arkivoleve për bashkëmoshatarët e saj. Një jetë luaneshe, e pathyeshme. Zëri i “Domani è un altro giorno” dhe “La musica è finita” nuk do të dëgjohet më.

Ornella Vanoni lindi në Milano më 22 shtator 1934, në një familje të pasur, dhe identitetin e saj milanez nuk e braktisi kurrë. Ajo shihej shpesh duke shëtitur nëpër Brera me elegancë e klas. Në vitin 1953, u regjistrua në Akademinë e Arteve Dramatike në Piccolo Teatro të Giorgio Strehler, ku u formua artistikisht. Falë teatrit, ajo u bë e njohur jo vetëm si aktore, por edhe për interpretimet e saj muzikore. Nuk kishte vetëm një zë të pagabueshëm: ishte e bukur, elegante, magnetike. Giorgio Strehler e adhuronte në skenë dhe u dashurua thellë me të. Ai ishte Pigmalioni i saj; ajo e ndoqi në pasionin artistik, por jo në shpërqendrimet e tij.

Muzika do të bëhej pjesë qendrore e jetës së saj. Fillimisht këndoi këngë të botës së krimit milanez, me tone poetike e dramatike, të cilat e bënë të njohur. Por horizontet e saj ishin të destinuara të zgjeroheshin. Në vitin 1960, ajo takoi Gino Paolin: lindi një histori e madhe dashurie dhe një bashkëpunim i fuqishëm artistik. Ai mbeti dashuria e saj më e njohur dhe më e vështirë. Edhe pasi u ndanë, mes tyre qëndroi një ndjenjë e thellë. Bënë turne së bashku me shumë sukses dhe, siç thoshte ajo vetë, edhe në moshë më të shtyrë do të kishte kënduar me të me kënaqësi “por ai është si ari, nuk del nga shtëpia”, kishte thënë me humor.

Megjithëse dashuria e saj për Paolin ishte ende e fortë, në vitin 1960 ajo u martua me prezantuesin dhe ish-këngëtarin Lucio Ardenzi. “Ajo martesë ishte një gabim,” thoshte shpesh. “Isha ende e dashuruar me Ginon dhe ai më tha të mos martohesha deri në fund.” Martesa nuk zgjati. Kur lindi djali i saj, Cristiano, në vitin 1962, çifti u nda. “Duhej të kisha thënë të vërtetën; nuk duhej të isha paraqitur në dasmë,” kujtonte ajo.

Karriera e saj vazhdoi të ngrihej me pjesëmarrje të shumta në Festivalin e Sanremos, role në teatër dhe paraqitje televizive. Sukseset vijuan me “Tristezza”, “Una ragione di più”, “L’appuntamento” sot sërish e famshme falë “Belve” dhe “La voglia la pazzia l’incoscienza l’allegria”.

Në fund të viteve 1970, ajo pranoi të pozonte për revistën Playboy, duke ruajtur gjithmonë elegancën dhe dinjitetin që e karakterizonin. Ajo vazhdoi të këndonte dhe të performonte pa pushim. Në vitin 1985, u ribashkua me Gino Paolin për turneun Vanoni-Paoli Insieme, një sukses i jashtëzakonshëm që rezultoi në një album të dyfishtë të paharrueshëm. Edhe më pas, ajo publikoi albume të reja, zhvilloi turne ndërkombëtarë dhe bashkëpunoi me artistë të shumtë, ndër ta Paolo Fresu. U rikthye disa herë edhe në Festivalin e Sanremos. Në vitin 2008, u nderua me “Çmimin Milano Donna gratë që e bënë Milanin të madh” dhe Çmimin Special “Marisa Bellisario” për Arije Jetësore.

Një ikonë e sofistikuar, me një zë të papërsëritshëm dhe mënyrën e saj elegante e sensuale të interpretimit, që nuk u zbeh kurrë. Në vitet e fundit, ajo u bë edhe më e dashur falë thjeshtësisë, sinqeritetit dhe ironisë së saj. Vetëm vitin e kaluar dha një koncert magjik në Terme di Caracalla dhe kishte planifikuar të tjerë. Fabio Fazio e ftonte shpesh në “Che tempo che fa”, ku ajo shfaqej e çiltër dhe plot humor. Ornella nuk kishte frikë nga vdekja vetëm nga vuajtja. Dhe bëri shaka për këtë deri në fund./Corriere della sera