
Pas 16 vitesh, drejtësia konfirmon kërcënimin mafioz ndaj Roberto Savianos
Dritare.net
Një shpërthim emocionesh, lot dhe duartrokitje në sallën e gjyqit. Pas 16 shkrimtari dhe gazetari italian Roberto Saviano më në fund dëgjoi fjalët që konfirmojnë atë që kishte ndier dhe jetuar që prej vitit 2008: kërçënimi ndaj tij ishte real, mafioz dhe i qëllimshëm.
Vendimi i fundit i Gjykatës së Apelit të Romës konfirmoi dënimet për Francesco Bidognetti, kreu i klanit mafioz të Casalesëve, dhe për avokatin e tij Michele Santonastaso, për kërcënime me metodë mafioze të drejtuara kundër Saviano-s dhe gazetares Rosaria Capacchione.
Ngjarja e vitit 2008 dhe origjina e kërcënimeve
Gjithçka nisi më 13 mars 2008, gjatë procesit të apelimit Spartacus në Napoli – një nga gjyqet më të mëdha ndaj mafies në historinë italiane. Gjatë një seance, avokati Santonastaso lexoi një dokument zyrtar në të cilin përmendej emri i Roberto Saviano-s dhe i Rosaria Capacchione-s si gazetarë që, sipas tyre, po ndikonin gjykatësit përmes shkrimeve të tyre për mafien.
Në fakt, ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë, i bërë publikisht brenda një salle gjyqi, që solli menjëherë rritjen e nivelit të mbrojtjes për Saviano-n, i cili prej vitit 2006 jeton nën mbrojtje të përhershme për shkak të kërcënimeve nga klani Casalesi.
Vendimi i fundit: një moment drejtësie dhe simbolike
Gjykata e Apelit konfirmoi dënimet:
1 vit e 6 muaj burg për Francesco Bidognetti, i cili ndodhet tashmë në burg me regjim të ashpër që nga viti 1993.
1 vit e 2 muaj burg për avokatin Michele Santonastaso.
Vendimi ruajti vlerësimin e gjykatës së shkallës së parë, e cila kishte njohur agravimin për metodën mafioze të përdorur në aktin e kërcënimit.
"Më kanë vjedhur jetën", tha mes lotësh Saviano pas shpalljes së vendimit. Ai përqafoi avokatin e tij, Antonio Nobile, ndërsa në sallë shpërthyen duartrokitje.
“Gjatë gjithë këtyre viteve kam pasur bindjen që mafia ka frikë nga informacioni. Tani kemi edhe provën gjyqësore. Ata nuk sulmuan politikën – por gazetarinë”, shtoi autori i Gomorra, që prej vitesh është bërë simbol i luftës ndaj krimit të organizuar.
Një precedent i rrezikshëm, një fitore për gazetarinë
Ky vendim përfaqëson më shumë se drejtësi individuale: është një fitore morale për gazetarinë italiane, e cila shpesh është në vijë të parë në denoncimin e mafies dhe korrupsionit. Nuk është rastësi që në këtë proces palë civile ishin edhe Federata Kombëtare e Shtypit Italian dhe Urdhri i Gazetarëve.
"Nuk është një fitore për askënd, sepse 16 vjet proces janë një padrejtësi më vete. Por është një moment e vërtete që mbetet në histori: për herë të parë, në një sallë gjyqi, një klan mafioz pranoi haptazi se i frikësohet fjalës së lirë”, përfundoi Saviano./L.F-dritare.net

















